Connect with us

Lajme

Me biçikletë në Himalaja, si një shans turistik dhe për Shqipërinë

Publikuar

Tashmë Himalajat nuk janë më vetëm një destinacion për alpinistët që synojnë majat më të larta të botës. Nën hijen e Everestit po lind një industri e re aventure: çiklizmi malor. Në qytetin e Phaplu, turistët po zëvendësojnë çizmet e rënda me dy rrotat e biçikletës, duke ndryshuar rrënjësisht jetën e banorëve vendas, Sherpave.

Për shumë kohë, Sherpat punonin vetëm si hamallë në ekspedita të rrezikshme dymujore. Sot, përmes klubeve të biçikletave, ata kanë krijuar një rrjet prej 70 kilometrash shtigje në pyllin Ratnange.

Të rinjtë po trajnohen si guida dhe mekanikë, duke siguruar të ardhura për 11 muaj të vitit. Ata nuk janë më thjesht punëtorë krahu, por zotërues biznesesh. Shtigjet, që arrijnë deri në 4.060 metra lartësi, ndjekin rrugët e vjetra të barinjve dhe u ofrojnë udhëtarëve mundësinë të qëndrojnë në shtëpi private, duke shijuar ushqimin tradicional dhe mikpritjen njerëzore.

Ky lloj turizmi mbron edhe mjedisin, pasi lëvizja e çiklistëve pakëson gjuetinë e paligjshme dhe prerjen e pemëve.

Modeli mund të zbatohet shkëlqyeshëm edhe në Shqipëri, ku treçereku i vendit është malor. Ndonëse Thethi është tashmë i mirënjohur, potenciali ynë shtrihet shumë më gjerë.

Dibra, me malin e Korabit, ofron shtigje sfiduese në lartësi mahnitëse, të ngjashme me peizazhet e Himalajave. Po ashtu, Jezerca në zemër të Alpeve, me terrenin e saj të thyer, është një parajsë për çiklistët që kërkojnë adrenalinë të pastër.

Në jug, zona si Vithkuqi në Korçë, Malësia e Madhe, Gramshi dhe Skrapari, ofrojnë terrenin ideal për çiklizmin malor.

Duke ndjekur shembullin e Nepalit, të rinjtë shqiptarë mund të krijojnë itinerare në  shtigjet e vjetra të barinjve.

Kjo do të parandalonte braktisjen e fshatrave dhe do të nxiste një turizëm të qëndrueshëm gjithëvjetor, duke mbrojtur pasuritë tona natyrore

E pra kjo do ishte një paketë e denjë malesh! /tesheshi.com/

 

NA NDIQ NË FACEBOOK