Lajme
Hoxha: Delegacion nga Turqia me 30 biznesmenë të interesuar për investime në bujqësi

Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Albrim Hoxha, në emisionin “Ritmi i Ditës”, u ndal edhe te takimi i fundit me një delegacion nga Republika e Turqisë. Sipas tij, delegacioni përbëhej nga 30 biznesmenë, politikanë dhe persona me ndikim, të interesuar për investime në Maqedoninë e Veriut, përfshirë edhe sektorin e bujqësisë.
“Ishte një delegacion prej 30 biznesmenëve, politikanë dhe njerëz me ndikim, të cilët janë seriozisht të interesuar në Maqedoninë e Veriut në fusha të caktuara, mes të cilave edhe në bujqësi. Deri tani kemi realizuar tre takime me këta investitorë potencialë dhe jemi në hapa të mirë, për shkak se jemi duke u afruar drejt diçkaje më konkrete. Ata kanë shfaqur interes për prodhimtarinë e orizit dhe pemëtarinë, por fokusi ynë si Qeveri është të sigurojmë plasman edhe në tregun evropian, por edhe në atë turk”, tha Hoxha.
Ai shtoi se bisedimet po vazhdojnë dhe se synimi institucional është që, krahas investimeve, të krijohen edhe mundësi të reja për eksport të produkteve bujqësore në tregje më të mëdha.
















