Uncategorized
Draft-Ligji për Arsimin e Lartë, profesor Saiti: Reformë pa tranzicion rrezikon mbyllje të heshtur të universiteteve

Profesori universitar në Universitetin “Nënë Tereza”, Blerim Saiti, ka reaguar ndaj Draft-Ligjit të ri për Arsimin e Lartë, duke vlerësuar se qasja aktuale rrezikon më shumë tkurrjen sesa forcimin e sistemit universitar. Sipas tij, nevoja për reforma, standarde dhe internacionalizim nuk vihet në dyshim, por problemi qëndron te imponimi i menjëhershëm i standardeve të larta pa tranzicion, pa ndërtim kapacitetesh dhe pa mbështetje reale financiare e institucionale.
Saiti thekson se kritere të tilla, të cilat realisht mund t’i përballojnë vetëm pak institucione, nuk prodhojnë cilësi, por reduktim të universiteteve përmes marginalizimit, bashkimeve të detyruara ose mbylljes së heshtur. Ai paralajmëron se kjo qasje rrezikon autonominë universitare dhe barazinë institucionale, veçanërisht në shkencat sociale dhe humanistike, si dhe krijon monopole akademike, sidomos në studimet e ciklit të tretë.
Duke e krahasuar situatën me sportin, Saiti shprehet se aplikimi i standardeve të “Champions League” në kushte të papërgatitura çon në dëme, jo për shkak të paaftësisë, por për shkak të mospërputhjes mes ngarkesës dhe kapacitetit real. Ai përfundon se reformat e vërteta kërkojnë rritje graduale të standardeve, dialog të hapur dhe përfshirje reale të komunitetit akademik, përndryshe ligji rrezikon të shndërrohet në instrument kontrolli dhe jo zhvillimi.

















