Lajme
Dorëzimi i Grubit/ Hoxha: I vonuar por i domosdoshëm, tani rolin e kanë institucionet

Artan Grubi, ish-zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Maqedonisë së Veriut, është vetëdorëzuar pasi ishte shpallur në kërkim, pas caktimit të masës së arrestit me burg ndaj tij.
Zëdhënësi i koalicionit VLEN, Albrim Hoxha, u shpreh për edicionin e lajmeve në MCN TV se dorëzimi i Grubit ishte një hap i vonuar, por i domosdoshëm.
“Nuk e di nëse ka qenë çështje strategjie, por është një hap i vonuar dhe i domosdoshëm për t’u përballur me drejtësinë. Që nga momenti kur ky person u largua nga vendi, ne si VLEN kemi deklaruar se askush nuk duhet t’i ikë drejtësisë, pavarësisht kohës”, tha Hoxha.
Ai shtoi se tashmë rolin kryesor e kanë institucionet dhe se procesi duhet të zhvillohet me profesionalizëm dhe në përputhje me ligjin.
“Procesi tani duhet të zhvillohet me profesionalizëm dhe në përputhje me ligjin. Qëndrimi ynë si VLEN dhe si qeveri është që kushdo që ka keqpërdorur pozitat publike duhet të japë llogari. Këtu nuk mund të ketë përjashtime, as për Grubin dhe as për askënd tjetër”, shtoi Hoxha.



















