Connect with us

Religjion

Adhurimet janë rrugë, dhe jo fundi i rrugës

Publikuar

Pas pesë ditësh do të hyjmë në muajin më të zgjedhur, të vetmin muaj që përmendet me emër në Kuran; ai është muaji i umetit të Muhamedit (savs); ai është muaji i mirësive të panumërta dhe i nderimit më të madh që mund t’i jepet njeriut. Transmetimi tregon se Musai (a.s.) e pyeti Zotin e botëve: “A e ke nderuar dikë siç më ke nderuar mua, që tani po bisedoj me Ty?” I Lartësuari iu përgjigj: “Do të kem një bashkësi njerëzish në Tokë të cilëve do t’ua urdhëroj agjërimin. Kur të formohet ajo bashkësi dhe kur, para iftarit, fytyrat e tyre të zverdhen e buzët t’u zbardhen, dhe kur në atë gjendje të Më drejtohen me lutje, mes Meje dhe tyre nuk ka asnjë perde. Ndërsa tani, o Musa, derisa ti po flet me Mua, mes Meje dhe teje janë shtatëdhjetë mijë perde.”

Muaji në të cilin agjëruesit i hapet rruga drejt Krijuesit është muaji i devotshmërisë. Agjërimi është urdhëruar që ne devotshmërinë ta dëshmojmë dhe ta forcojmë. Agjërimi, ashtu si edhe adhurimet e tjera në fenë tonë, nuk janë qëllim në vetvete; por ato janë rrugë, dhe jo fundi i rrugës. Të agjërosh nuk do të thotë vetëm të përmbahesh nga kënaqësitë trupore.

Me agjërim forcohet aftësia për t’i rezistuar mëkatit dhe për t’ia siguruar vetes lumturinë në të dy botët. I Dërguari i Allahut (savs) ka thënë se agjërimi është mburojë: ai e mbron njeriun nga mëkati. I Dërguari na paralajmëron se agjëruesi i vërtetë nuk heq dorë vetëm nga ushqimi, pija dhe kënaqësitë trupore.

Prej tij pritet që të heqë dorë nga mëkati; sepse nëse nuk e lë mëkatin, nuk do t’i bëjë dobi as uria dhe as durimi i etjes. Për këtë gjejmë dëshmi në hadithin: “Kush nuk heq dorë nga fjala e keqe, Allahut nuk i duhet që ai ta lërë ushqimin dhe pijen.” Agjëruesi i vërtetë është thellësisht i vetëdijshëm për agjërimin e tij dhe për qëllimin e tij; prandaj çdo thirrjeje për mëkat i përgjigjet: “Unë jam duke agjëruar” dhe kështu arrin që agjërimi i tij vërtet të jetë mburojë.

Ramazani, thonë mufesirët, edhe në vetë emrin e tij flet për përmbajtjen e tij. Shkronja Ra i shoqëron me Rahmetin, shkronja Mim me Magfiretin, shkronja Dad me Damanin, pra mbrojtjen nga zjarri, ndërsa shkronja Nun u tregon se ata që e meritojnë mëshirën, e arrijnë faljen dhe mbrohen nga zjarri, do të kenë dritë përpara tyre dhe në anën e djathtë të tyre. Mëshira e Allahut të Lartësuar është e pafundme, dhe ajo u jepet veçanërisht atyre që, vetëm për hir të Krijuesit të tyre, në Ramazan i thonë “jo” kënaqësisë së lejuar, ndërsa në jetën e përditshme ia thonë këtë fjalë mëkatit. Allahu i Lartësuar është Ai që fal, dhe i fal veçanërisht ata që pendohen sinqerisht. Ramazani është rasti i vërtetë për një pendim të tillë, e sidomos e treta e tij e mesme.

Paralajmëruese për të gjithë neve është ajo që na ka treguar i Dërguari (savs): “Më erdhi Xhibrili dhe më tha: ‘I mallkuar qoftë ai që e përjeton Ramazanin dhe në të nuk e fiton faljen!’ Thuaj: Amin. Dhe unë thashë: Amin.” Ramazani na mundëson që të pastrohemi nga mëkatet dhe ta festojmë Bajramin në mënyrë të vërtetë; sepse Bajramin e feston ai shpirt që vërtet çlirohet nga barra e mëkateve dhe kështu shpëton.

Allahu i Lartësuar besimtarët e vërtetë i përshkruan si të durueshëm. Durimi që u atribuohet besimtarëve është këmbëngulja në të mirën dhe puna e pandërprerë mbi veten, përmes edukimit. Pikërisht këtë detyrë e ka Ramazani: që të na fisnikërojë dhe të na edukojë. Durimi nuk është vuajtje pasive. Durimi do të thotë të jesh në gjendje të shohësh mjaft larg dhe të kesh besim në përfundimin e procesit. Përfundimi i Ramazanit duhet të jetë i dukshëm në sjelljen tonë; ai duhet të na kthejë më fort dhe më fuqishëm drejt së vërtetës dhe së mirës, dhe të na largojë nga rruga e shtrembër dhe nga mëkati. Durimi prej nesh kërkon që ta shikojmë gjembin dhe ta shohim trëndafilin, që ta shikojmë natën dhe ta shohim agimin. Kjo do të thotë, që ta shikojmë Ramazanin si mundësi dhe si proces, dhe ta shohim veten të rilindur. Allahu i Lartësuar atyre që durimin e kuptojnë në këtë mënyrë u premton shpërblim pa llogari.

Ramazani është muaji i solidaritetit. Në të vërtetë, solidariteti në Ramazan është obligim; ai gjendet në themelet e ibadeteve të tij, dhe këto ibadete të Ramazanit duhet të na bëjnë njerëz solidarë në çdo ditë të jetës sonë deri në vdekje. Kemi dëgjuar se agjërimi ynë, heqja dorë nga kënaqësitë trupore, nuk do të ngrihet tek Allahu derisa të jemi solidarë, derisa ta ndajmë sadakanë e fitrit dhe zekatin. Ramazani nuk është vetëm një grumbull ditësh në të cilat ibadetet i kryejmë më shumë dhe më intensivisht. Ditët e Ramazanit janë ditë mësimi se si jetohet feja dhe ditë forcimi për ta jetuar atë. Ramazani është muaji i bashkësisë, muaji i xhematit.

Shoqërimi ynë i ramazanit, i xhematit, duhet të kuptohet si ushtrim i unitetit dhe i harmonisë sonë. Ne në këtë shoqërim të ramazanit hyjmë për ta forcuar veten me xhematin dhe për ta forcuar xhematin me veten tonë. Le të mendojmë, o vëllezër, për porosinë e të Dërguarit (savs) se dora e Allahut, mëshira e Tij, është me xhematin dhe mbi xhematin, dhe le ta pyesim veten se si mund ta presim ndihmën dhe mëshirën e Tij në një ambient kaq të përçarë, në një ambient fyerjesh të pamëshirshme, nënçmimesh dhe poshtërimesh. Ramazani na vjen si mëshirë e jashtëzakonshme hyjnore; na vjen si mundësi që ta rishqyrtojmë vetveten dhe që me veprat tona të nisemi drejt strehimit në mëshirën e Allahut – e mëshira e Tij është në bashkësinë tonë.

Ramazani është muaji i Shpalljes. Në të nuk ka filluar vetëm shpallja e Kuranit; të gjitha Shpalljet e kanë filluar zbritjen e tyre tek njeriu në këtë muaj të bekuar. Praktika jonë, pra tradita jonë, është që në Ramazan të shoqërohemi intensivisht me Kuranin: ta lexojmë, ta komentojmë… Një poet duke menduar për Kuranin, thotë: “O fjalë e përjetshme, Allahu ty të ka thënë.” Kujt ia ka thënë Allahu këtë fjalë? Kjo pyetje duhet të na ndjekë në ditët e Ramazanit, derisa i dëgjojmë mukabelet dhe marrim pjesë në tefsirin e Kuranit. Nëse nuk e kuptojmë se Allahu po na flet neve, mund të na ndodhë që Kurani të jetë dëshmitar kundër nesh, dhe jo për ne.

Në Ramazan, dhe kjo është shumë domethënëse, i Dërguari (savs) e hapi shkollën e parë dhe e tregoi rëndësinë e dijes. Do ta kujtojmë se pas betejës së Bedrit, në Sofën e xhamisë së Medinës, robërve të Bedrit, politeistëve, ua besoi fëmijët muslimanë që t’i mësonin dije të ndryshme, që t’ua mësonin shkrim-leximin. Sa e rëndësishme është ta kuptojmë këtë mesazh për rëndësinë e shkuncës dhe të kërkimit shkencor, kjo është vërtetuar shumë herë gjatë historisë, e ndoshta kurrë më shumë se sot, kur njerëzimi po përballet me inteligjencën artificiale dhe me pyetjen se kah po shkojmë. Ummeti i Muhamedit (savs) në këtë Ramazan duhet t’i përkushtohet një heshtjeje të thellë dhe meditimi mbi vetveten, dhe ta përballë vetveten me të vërtetën për veten e tij.

Kjo e vërtetë është e ashpër, por derisa të mos jemi të vetëdijshëm për të, ramazanët tanë do të mbeten vetëm tubime iftaresh, syfyrësh, teravish dhe mukabelesh. Derisa Ramazani të mos na ndryshojë, të mos na forcojë dhe të mos na bëjë më të mirë, ai do të jetë vetëm një muaj tjetër në vargun e muajve të çdo viti të jetës sonë, ndonëse për njeriun ai është një nderim më i madh sesa ai që Musai (a.s.) e përjetoi në malin e shenjtë Tuva. Sikur vetëm për këtë të ishim të vetëdijshëm!!!

O Allahu i Lartësuar, na ndihmo që mesazhet e Ramazanit t’i kuptojmë, që ato të ndikojnë në ne dhe të na ndryshojnë!  Amin!

Hatib: Izet ef. Čamdžić

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

Lajme58 minutes ago

“Nga Institucionet amerikane më është thënë se qeveria Kurti atyre u ka thënë se Lidhja me Amerikën, me gazin amerikan e dëmton sigurinë nacionale të Kosovë’’, Vjosa Osmani

Maqedoni2 hours ago

Nesër regjim i posaçëm i komunikacionit në Shkup

Shqipëri2 hours ago

Protestuesit rikthehen në rrugë të shtunën, tubime për Zvërnecin në disa qytete!

Lajme3 hours ago

Anëtarja e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së Flutura Beka Kamberaj në mbështetje të plotë të kandidatit Naim Hajra me numër 85

Maqedoni5 hours ago

Toshkovski: Prespa po bëhet me vendkalim të ri kufitar drejt Greqisë

Shqipëri5 hours ago

“Topi është në fushën e Trumpit”, Teherani: Negociatat me SHBA në ngërç!

SKENA6 hours ago

Luiz Ejlli i bashkohet protestës në Tiranë, mesazhi i tij po bën xhiron e rrjetit

Lajme7 hours ago

“Konjufca doli keq në debat sepse çështjet ishin të pambrojtshme”, Ymeri: Ismaili dhe Kica-Xhelilin si më të mirët në debat

Maqedoni8 hours ago

Bytyqi: Nëse nuk anëtarësohemi në BE deri në vitin 2030, Maqedonia rrezikon të mbetet me më pak se 1 milion banorë

Shqipëri8 hours ago

Aksident i rëndë në Fier-Vlorë, përplaset për vdekje një person

Lajme9 hours ago

Vjosa Osmani ‘dridh’ sheshin në Prishtinë: Projektuan fundin tonë, por LDK po kthehet më e fortë se kurrë

Maqedoni10 hours ago

Të rinj nga Kumanova kanë hyrë me forcë në një lokal natën dhe kanë vjedhur të gjitha tavolinat dhe karriget

NA NDIQ NË FACEBOOK