Connect with us

Lajme

Thërrmimi gradual i drejtësisë së re

Publikuar

Reforma në drejtësi u shit si kështjella e fundit e shpresës, ku pandëshkueshmëria vjeçare do të thërrmohej përballë forcës së vërtetë të ligjit. Por sot, nuk janë të korruptuarit ata që po dridhen.

Përkundrazi, është vetë “Drejtësia e Re” ajo që po përjeton dridhjet e një tërmeti të orkestruar, jo nga natyra, por nga politika. Ajo që po shohim ditët e fundit nuk është thjesht një mbrojtje procedurale e të akuzuarve VIP; është fillimi i thërrmimit gradual, por sistematik, të institucioneve të reja të drejtësisë.

Rasti i gjyqtares së GJKKO-së, Irena Gjoka, e cila ka në duar një nga dosjet më të nxehta të tranzicionit – atë “Partizani” kundër Sali Berishës – është simptoma e parë e kësaj patologjie.

Paditë dhe hetimet e kërkuara ndaj saj nuk janë thjesht manovra ligjore. Ato janë mesazhe të koduara qartë: kush guxon të prekë “totemet” e politikës, do të kthehet vetë në të akuzuar.

Legjitimitetit i gjyqtares po gërryhet qëllimisht për të zhvlerësuar vendimmarrjen e nesërme, duke krijuar një precedent të rrezikshëm ku gjyqtarët janë nën shënjestër po aq sa të pandehurit e tyre.

Por, nëse sulmet nga “Rrugica e Shpresës” mund të etiketohen si retorika e zakonshme e një opozite nën hetim, çfarë mund të thuhet për sulmin frontal që vjen nga pushteti? Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, dikur një nga zëdhënësit më të flaktë të mbështetjes për SPAK, sot ka ndërruar pllakë.

Padia dhe sulmet e tij ndaj prokurorit të SPAK, Olsi Dado, shoqëruar nga një fushatë denigruese e portaleve satelite pranë bashkisë, tregojnë se “dashuria” për drejtësinë përfundon aty ku fillon cenimi i interesit personal.

Kjo është një skemë e mirëorganizuar shantazhi publik. Kur prokurorët guxojnë të hetojnë dosjet e “Inceneratorëve” apo drejtorët e “5D”, makineria mediatike ndizet për të bërë pis hetuesin.

Mesazhi për prokurorët e tjerë është i frikshëm: “Nëse hetoni, do t’ju shkatërrojmë reputacionin!”. Kjo nuk është drejtësi; ky është një rrethim mafioz i institucioneve.

Dhe në këtë peizazh të zymtë, nuk mungojnë “fantazmat” e së shkuarës. Gjyqtarë dhe prokurorë të shkarkuar nga Vetingu për pasuri të pajustifikuar apo paaftësi, në vend që të ishin sot subjekt i SPAK-ut, janë kthyer në konsulentë të krimit dhe korrupsionit, apo në ushqyes të sulmeve ndaj kolegëve të tyre që e kaluan sitën.

Ata janë dëshmia e gjallë se sistemi i vjetër nuk ka vdekur; ai thjesht është riorganizuar në hije, duke përdorur paratë e korrupsionit për të sabotuar sistemin e ri.

Ndërkohë, heshtja e SPAK-ut përballë ish-ministrave dhe zyrtarëve të lartë, të cilët shëtisin të lirë ndonëse abuzimet e tyre me detyrën janë sheshazi, e shton dozën e skepticizmit. A po vepron drejtësia me dy standarde? A po godet ajo vetëm aty ku i lejohet, apo aty ku “diga” politike është çarë tashmë?

Thërrmimi i drejtësisë së re nuk ndodh brenda një dite. Ai ndodh kur një gjyqtare frikësohet të japë vendimin, kur një prokuror mendohet dy herë para se të firmosë një urdhërarrest për shkak të linçimit mediatik që e pret, dhe kur politika – majtas dhe djathtas – bashkohet në një front të heshtur për të delegjitimuar të vetmin pushtet që ende nuk e kontrollojnë plotësisht.

Nëse kjo fushatë presioni, padish dhe baltosjeje nuk ndalet, dhe nëse SPAK-u dhe GJKKO-ja nuk tregojnë dhëmbët jo vetëm ndaj dosjeve, por edhe ndaj atyre që tentojnë t’i intimidojnë, atëherë 2026-a nuk do të jetë viti i drejtësisë.

Përkundrazi, do të jetë viti kur kuptuam se Drejtësia e Re u plak para kohe, e thërrmuar nga pesha e atyre që duhet të kishte plasur prapa hekurave./tesheshi/

NA NDIQ NË FACEBOOK