Religjion
Të gjithë mund të jemi të përgatitur

“Është Ai që ka në dorë jetën dhe vdekjen. Kur Ai vendos diçka, vetëm thotë për të: “Bëhu!” dhe ajo menjëherë bëhet.” (el-Mu’min, 68).
Ne nuk e përcaktojmë as jetën, as vdekjen. Nuk pyetemi se kur do të vijmë në këtë botë, as se kur do të largohemi prej saj. Ne jemi plotësisht të lirë në atë që jemi nderuar me lirinë e zgjedhjes dhe kemi mundësinë të vendosim vetë se si do ta rregullojmë jetën midis lindjes dhe vdekjes.
Kam lindur kur ka dashur Allahu. Ai, i Lartësuari, është Krijuesi i secilit prej nesh dhe secilit prej nesh i ka fryrë nga Shpirti i Tij. Dhe pikërisht në atë çast, kur na fryu nga Shpirti i Tij, Ai përcaktoi edhe se sa do të jetojmë dhe kur shpirti, i fryrë në trupin tonë prej Tij, do ta lërë këtë trup. Secilin prej nesh do ta ndajë nga gjithçka kalimtare meleku që është caktuar për ne.
Kush mund të ndikojë në këtë? Kush mund ta përshpejtojë apo ta vonojë largimin nga kjo botë? Askush. E kush mund të përgatitet për largimin e vet nga kjo botë, për takimin me Krijuesin? Secili.
Nata e Beratit, e cila na vjen të hënën, është një shtysë e fuqishme që të përgatitemi vazhdimisht dhe me themel për këtë takim të pashmangshëm. Ajo është nata në të cilën, sipas disa haditheve – disa prej të cilëve kanë vlerësim të dobët – Allahu i Lartmadhëruar, i fal të gjithë ata që pendohen sinqerisht, që nuk e urrejnë askënd dhe që nuk janë në armiqësi me askënd. Ajo është gjithashtu nata në të cilën, sipas disa haditheve – po e theksoj, hadithe me status të dobët – përcaktohet ardhja e njerëzve në këtë botë dhe largimi i tyre prej saj.
Kush prej nesh nuk mund të përgatitet për takimin me Zotin e botëve? Të gjithë mundemi, sepse të gjithë jemi të obliguar që, brenda kufijve të mundësive tona – as më shumë dhe as më pak – ta kemi frikë Allahun dhe të jemi të vetëdijshëm për Të. Secili mund t’i shohë argumentet e Allahut, si në veten e tij ashtu edhe në horizont, dhe secilit i është mundësuar që, përveç soditjes së argumenteve, t’i lexojë edhe ajetet që e udhëzojnë, që e forcojnë në rrugën e drejtë dhe që e bëjnë mirënjohës. Secili mund ta shohë qartë dhe pa asnjë dyshim pafuqinë e vet përballë fuqisë absolute të Allahut, ta ndiejë dhe ta kuptojë varësinë e vet nga Krijuesi i gjithçkaje dhe të jetë mirënjohës për çdo gjë.
Secili mund ta kuptojë se as nuk kontrollon asgjë dhe as nuk drejton asgjë. As mbi trupin tënd, o rob i Allahut, nuk mund të sundosh; po të kishe mundësi, gjithmonë do ta shmangie sëmundjen. Ti nuk mund t’i kundërvihesh as erës, as tërmetit. Dhe kur i di të gjitha këto, atëherë bëhesh mirënjohës për gjithçka që shijon dhe këtë mirënjohje e dëshmon me bindje dhe nënshtrim.
Secili prej nesh mund ta mësojë suren el-Fatiha, pastaj së paku një sure tjetër, atë më të shkurtën nga Kurani, dhe gjithçka tjetër që është pjesë përbërëse e namazit; e kështu, me namaz, ta dëshmojë bindjen dhe mirënjohjen dhe të përgatitet për takimin e pashmangshëm me Zotin tonë.
Secili prej nesh mundet, brenda kufijve të mundësive të veta, të bëjë mirë dhe të jetë i mirë ndaj njerëzve dhe ndaj krijesave të Allahut që na rrethojnë. Dhe secili prej nesh është plotësisht i aftë që të mos i bëjë padrejtësi askujt. Siç thotë një thënie e urtë:
“Ndoshta nuk mund t’u ndihmosh të gjithëve, as të bësh vepra të mira për të gjithë, por gjithmonë dhe plotësisht mundesh të mos i bësh keq askujt.” Kështu, duke u ruajtur nga mëkatet dhe duke u larguar nga padrejtësia, përgatitemi për takimin me Zotin e botëve.
Secili prej nesh mundet, brenda kufijve të mundësive të veta, të jetë i dobishëm për shoqërinë në emër të Allahut. Dhe çdo vepër e mirë, edhe ajo që në sytë tanë duket e vogël, do të na jetë me dobi të madhe kur të qëndrojmë para Zotit të botëve. Para Allahut të Lartësuar, do të dalë edhe ai që nuk bën asgjë për bashkësinë e vet, që nuk i shërben xhematit të tij në asnjë mënyrë, që i shpërfill nevojat e lagjes dhe të fshatit të vet, që vetëm kritikon dhe i nënçmon të mirat që të tjerët i kanë bërë – por me çfarë do të dalë ai para Tij?
Secili prej nesh mundet të garojë në të mirë, së pari me vetveten, që sot të jetë më i mirë dhe më bamirës sesa dje, por edhe me të tjerët, me vëllezërit dhe motrat e tij. Sa e rëndësishme është të garojmë në të mirë, e dëshmon edhe fakti se feja jonë lejon zili ndaj atyre që bëjnë më shumë vepra të mira se ne, në mënyrë që ajo zili të na nxisë drejt së mirës dhe bamirësisë. Kjo është, le ta quajmë kështu, një zili e shëndetshme – zili që nuk synon t’ia heqë të mirën atij që e ka, por që edhe ti të bëhesh bamirës.
Nuk ka rëndësi nëse është nata e Beratit apo ndonjë natë tjetër në të cilën Krijuesi i gjithçkaje do t’ia kumtojë melekut të vdekjes, që është caktuar për ty, ditën dhe çastin kur do të largohesh nga kjo botë. Vetëdija se do të largohemi patjetër, por se nuk e dimë kur – dhe se kjo mund të jetë tani – na nxit që të përgatitemi, që kur të qëndrojmë para Zotit të botëve të jemi prej atyre për të cilët do të thuhet: “Shpëtimi qoftë mbi ju! Ju keni qenë njerëz të mirë, andaj hyni në Xhenet dhe qëndroni përgjithmonë!” (ez-Zumer, 73).
O Allahu i Lartësuar, na bëj të vetëdijshëm për takimin e pashmangshëm me librin e veprave tona dhe na jep forcë që në të të shënojmë sa më shumë të mira. Amin.
Hatib: Izet ef. Čamdžić
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)






















