Sport
Shqipëria do të ndërtoj 40 fushave të reja deri në 2030

Federata Shqiptare e Futbollit organizoi këtë të hënë prezantimin e strategjisë së re “Vision to Victory 2026-2030”, një plan me projekte konkrete që synon ndryshime cilësore në futbollin shqiptar gjatë katër viteve të ardhshme. Strategjia është hartuar në bashkëpunim me ekspertët e UEFA-s, pas një pune kërkimore të gjatë dhe të detajuar.
Në eventin e zhvilluar në “Shtëpinë e Futbollit” morën pjesë Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, përfaqësues të klubeve dhe shoqatave rajonale, ish-futbollistë, sponsorë, organizata partnere dhe media.
Presidenti Duka bëri një bilanc të strategjisë së mëparshme “Futbolli për Kombin”, duke nënvizuar se 95% e objektivave janë realizuar ose janë në fazë të avancuar zbatimi.
Më pas, ai prezantoi strategjinë e re, që përqendrohet te: Rritja e pjesëmarrjes dhe cilësisë së futbollit, me më shumë programe në shkolla dhe komunitete; forcimi i strukturave organizative dhe mbështetja e klubeve dhe akademive për moshat e reja; investime në infrastrukturë, duke synuar ndërtimin e 30-40 fushave të reja deri në 2030, dhe planin afatgjatë për 200 fusha në nivel kombëtar; rritja e numrit të spektatorëve në stadiume dhe forcimi i mbështetjes financiare për klubet dhe akademitë; objektiva konkrete për ekipet kombëtare: pjesëmarrja e ekipit A të djemve në turnetë finale Europian dhe Botëror, kalimi i fazës së grupeve për ekipin U-21 në Euro 2027, që do të zhvillohet në Shqipëri, dhe kualifikimi i ekipit kombëtar të vajzave në Europianin 2029.
“Kjo strategji është e matshme, e zbatueshme dhe e lidhur drejtpërdrejt me realitetin e futbollit shqiptar. ‘Vision to Victory’ është një ftesë për unitet, ambicie dhe besim. Vetëm së bashku mund ta kthejmë vizionin në fitore – jo vetëm në rezultate sportive, por edhe në zhvillimin e njerëzve, komuniteteve dhe vendit tonë”, – tha Presidenti Armand Duka.
Ai shtoi se katër vitet e ardhshme do të jenë vendimtare dhe me përkushtim, profesionalizëm dhe bashkëpunim futbolli shqiptar mund të arrijë një nivel më konkurrues në arenën ndërkombëtare.


















