Lajme
Saliu – BDI-së: Shqiptarët nuk kanë nevojë për simbolika, por për pushtet real

Deputetja e koalicionit VLEN, Imerlije Saliu, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të përfaqësuesve të BDI-së, duke i cilësuar ato si shembull të qartë të hipokrizisë politike dhe standardeve të dyfishta në trajtimin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore.
Sipas Saliut, BDI për vite me radhë ka promovuar funksione teknike si “arritje historike” për shqiptarët, përfshirë edhe postin e Kryeministrit Teknik, me mandat të kufizuar dhe pa ndikim real në vendimmarrje. Ndërkohë, sot – kur shqiptarët mbajnë pozita reale dhe vendimmarrëse, si Zëvendëskryeministri me kompetenca të plota Bekim Sali dhe Kryeparlamentari – i njëjti përfaqësim tentohet të zhvlerësohet.
“Ky kontrast e zbulon qartë hipokrizinë politike të deklaratës së Arbër Ademit dhe bie ndesh me vetë narrativën që BDI ka ndërtuar ndër vite për rolin e shqiptarëve në pushtet”, thekson Saliu.
Ajo shton se një funksion teknik, pa rezultate konkrete për shqiptarët, u shndërrua në simbol triumfi vetëm sepse mbante vulën e BDI-së, ndërsa sot një pozitë reale me ndikim konkret në vendimmarrjen shtetërore mohohet dhe zhvlerësohet vetëm pse nuk vjen nga kjo parti.
“Këto janë standarde të dyfishta të integristëve: kur pozita është e BDI-së, përfaqësimi shpallet historik; kur pozita është jashtë saj, përfaqësimi mohohet”, thekson deputetja e VLEN-it.
Në reagimin e saj, Saliu nënvizon se shqiptarët sot nuk kanë nevojë për simbolika selektive dhe të stërqëndisura për marketing politik, por për përfaqësim real, kompetenca konkrete dhe rezultate të prekshme.
Në fund, ajo ngre edhe një pyetje publike drejtuar BDI-së: “Sa komuna arriti t’i fitojë BDI në zgjedhjet e fundit?”, duke e lidhur përfaqësimin real me besimin e qytetarëve dhe jo me deklarata politike.















