Connect with us

Lajme

RTSH si simbol i dështimit të shtetit

Publikuar

Transmetuesi Publik në Shqipëri, është sot një monument i dështimit institucional. Pas më shumë se tre dekadash tranzicion, RTSH nuk është bërë kurrë zëri i qytetarëve, por ka mbetur një relike e shëmtuar e propagandës.

Në vend që të ishte shkolla e gazetarisë dhe gardiani i së vërtetës, ai është shndërruar në një megafon të pushtetit, duke përsëritur sukseset imagjinare të udhëheqësve, ashtu si në kohën e komunizmit. Kjo është një tradhti e hapur ndaj taksapaguesve shqiptarë, të cilët çdo muaj financojnë një makinë propagande me paratë e tyre.

Një fole militantësh

Skandali bëhet edhe më i madh kur sheh listat e punonjësve: mbi 1100 persona në bordero. Ky numër i fryrë, e ka kthyer RTSH-në në një fole gjigante ku vegjetojnë militantë, familjarë dhe servilë të partive. Ndërkohë, profesionistët e vërtetë janë larguar ose janë dëbuar me dhunë.

Shqiptarët paguajnë rreth 9 milionë euro në vit vetëm nga taksa e televizorit. Kësaj i shtohen edhe 13 milionë euro nga buxheti i shtetit dhe të ardhurat nga reklamat. Janë dhjetëra miliona euro që avullojnë çdo vit në një humnerë korrupsioni.

Abuzime pa fund

Raportet e përvitshme të Kontrollit të Lartë të Shtetit flasin për tendera fiktivë, dieta luksoze në hotele të shtrenjta të Evropës, dreka e darka me çmime marramendëse. Një vjedhje e organizuar në emër të një shërbimi publik që nuk ekziston.  Megjithatë, problemi nuk është mungesa e investimeve teknologjike.

RTSH ka shpenzuar dhjetëra miliona euro për pajisje moderne dhe kalimin në platforma digjitale. Por këto investime kanë mbetur të paralizuara nga mentaliteti i vjetër dhe burokracia e fryrë. Institucioni prodhon borxhe të panevojshme dhe vonesa të pafundme në pagesat ndaj autorëve të jashtëm të programeve.

Në vend që teknologjia e re të sillte efikasitet dhe transparencë, ajo është mbytur nga një kulturë administrative që favorizon klientelizmin dhe ngadalësinë. Kështu, ekranit publik i mungon energjia krijuese dhe dinamika që do ta bënte konkurrues në tregun mediatik.

Hipokrizia e pushtetit

Kryeministri Rama e ka quajtur publikisht RTSH-në një dështim total. Por ky është kulmi i hipokrizisë. Sepse është vetë ai që emëron dhe shkarkon drejtorët sipas tekave të pushtetit. Drejtorët vijnë si miq të qeverisë dhe largohen pasi kanë kryer misionin e radhës.

Ky qark i mbyllur e ka shndërruar pavarësinë e RTSH-së në një gënjeshtër ligjore. Qëndrimi i Ramës ndaj RTSH-së tregon edhe narcizmin e tij ekstrem: çdo gjë që ai nuk e sheh, nuk e ndjek dhe nuk e konsideron të vlefshme, shpallet si e pavlerë dhe duhet mbyllur.

Ky perceptim personal i shndërruar në politikë publike, është dëshmi e arrogancës së pushtetit, ku institucionet nuk gjykohen mbi bazën e misionit dhe rolit të tyre, por mbi shijet e një individi të vetëm.

Hija e kullave

Deklaratat për mbylljen e RTSH-së duket se fshehin një plan më të errët: lakminë për truallin e çmuar në qendër të Tiranës. Çmimi për metër katror në atë zonë, është sot më i larti në treg. Pra hija e kullave të betonit po bie mbi godinën historike të televizionit publik.

Institucioni lihet qëllimisht të kalbet, të zhytet në borxhe, derisa kapitullimi final të duket i pashmangshëm. Pastaj, zgjidhja e vetme shpallet shembja e godinës dhe dhënia e territorit oligarkëve. Ky do të ishte akti final i grabitjes së pasurisë kombëtare në emër të reformës. Por pas këtij skenari fshihet një dramë më e madhe: zhdukja e kujtesës kolektive.

RTSH nuk është thjesht një ndërtesë, por një arkiv i historisë audiovizive të vendit. Shembja e tij do të thotë fshirja e një kapitulli të tërë kulturor, duke e zëvendësuar me beton dhe qelq. Në vend të një institucioni publik, qytetarët do të trashëgojnë një tjetër kullë anonime, pa identitet dhe pa kujtesë.

Simbol i tranzicionit pafund

RTSH është sot simboli i një shteti që nuk do t’u shërbejë qytetarëve, por vetëm vetes. Një dëshmi e gjallë se tranzicioni shqiptar, nuk ka pasur kurrë qëllim zhvillimin, por vetëm pasurimin e një elite. Ky institucion, është sot pasqyra ku shihen të gjitha plagët e tranzicionit: mungesa e meritokracisë, kapja e institucioneve, korrupsioni i përditshëm dhe arroganca e pushtetit.

RTSH nuk është thjesht një televizion i dështuar, por një metaforë e Shqipërisë që nuk arrin të dalë nga hija e së shkuarës. Sa kohë që ky simbol mbetet i kapur, edhe shpresa për një shtet modern e të drejtë mbetet e varrosur nën themelet e kullave./tesheshi.com/

 

NA NDIQ NË FACEBOOK