OP / ED
Rendi i ri botëror i Donald Trump dhe sfida shqiptare në Ballkan

Shkruan: Bekim Rexhepi, ish zv ministër në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut
Rikthimi i Donald Trump në skenën politike amerikane nuk përfaqëson vetëm një zhvillim të brendshëm në SHBA, por një sinjal të qartë për ndryshim të rendit botëror. Qasja e tij politike po konsolidon një model të ri ndërkombëtar, të bazuar jo mbi parime universale dhe institucione multilaterale, por mbi interes shtetëror, forcë negociuese dhe marrëveshje transaksionale.
Ky rend i ri sfidon drejtpërdrejt arkitekturën globale të pas Luftës së Dytë Botërore, ku SHBA ishte promotore e demokracisë, aleancave të qëndrueshme dhe rendit liberal. Në vizionin e Trumpit, aleancat nuk janë vlera në vetvete, por marrëdhënie me kosto dhe përfitim; NATO nuk shihet si garanci automatike sigurie, por si detyrim që duhet justifikuar; ndërsa institucionet ndërkombëtare humbin peshë përballë marrëveshjeve bilaterale.
Për Ballkanin, dhe veçanërisht për shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, ky zhvillim përbën një moment reflektimi strategjik. Mbështetja perëndimore, sidomos ajo amerikane, nuk mund të merret më si e mirëqenë. Në rendin e ri, partneriteti nuk trashëgohet por fitohet dhe mirëmbahet.
Në këtë kontekst, shqiptarët kanë edhe avantazhe të rëndësishme: orientimin e qartë euroatlantik, praninë në NATO (Shqipëria dhe RMV), partneritetin strategjik të Kosovës me SHBA-në dhe një rol stabilizues në rajon. Megjithatë, këto avantazhe rrezikojnë të zbehen nëse shoqërohen me paqartësi politike, përçarje të brendshme dhe diplomaci reaguese.
Rendi që po artikulohet nga Trump kërkon:
• shtete funksionale dhe të parashikueshme,
• stabilitet politik dhe institucional,
• koordinim rajonal dhe ndërshqiptar,
• si dhe aftësi për të qenë faktor stabiliteti, jo burim krize.
Neutraliteti i paqartë apo pritja pasive nuk kanë vend në këtë realitet të ri. Në politikën globale që po formësohet, ata që nuk artikulojnë interesin e tyre qartë, rrezikojnë ta humbin atë.
Rendi i Trumpit mund të mos jetë i butë dhe as idealist, por është i drejtpërdrejtë. Për vendet e vogla, sinqeriteti i interesit global është një sfidë e madhe por edhe një mundësi për ata që dinë të pozicionohen me maturi, unitet dhe vizion afatgjatë.





















