Lajme
Redi Shehu kritikon ashpër vizitën e Ramës në Izrael: Simbol i izolimit ndërkombëtar të Netanjahut

Analisti Redi Shehu ka reaguar me tone të ashpra ndaj vizitës së kryeministrit Edi Rama në Izrael, duke e cilësuar atë si një dëshmi të qartë të degradimit ndërkombëtar dhe izolimit që, sipas tij, ka pësuar Izraeli në skenën globale.
Në një postim publik, Shehu shkruan se pritja e Ramës nga institucionet dhe përfaqësuesit më të lartë izraelitë nuk është shenjë force diplomatike, por tregues i mungesës së mbështetjes ndërkombëtare për regjimin e kryeministrit Benjamin Netanjahu. Sipas tij, për herë të parë Izraeli “ngazëllehet dhe duartroket një përfaqësues periferik të skenës globale”, duke nënvizuar se kjo pasqyron izolimin e thellë politik në të cilin ndodhet sot Tel Avivi.
Shehu ndalet edhe te figura e Netanjahut, të cilin e quan “të shpallur në kërkim”, duke theksuar se dy vite më parë ai pritej nga liderë botërorë, ndërsa sot, sipas analistit, detyrohet ta quajë Ramën “lider vizionar”. Në këtë kontekst, Shehu vlerëson se fjalimi i Ramës në Knesset nuk ishte historik për përmbajtjen, por sepse, sipas tij, u shndërrua në metaforë të izolimit ndërkombëtar të regjimit të Netanjahut.
Në reagimin e tij, analisti e krahason situatën aktuale me barrën historike të Holokaustit, duke pretenduar se veprimet e qeverisë izraelite në Gaza kanë zhvendosur turpin historik, ndërsa kritikon Ramën se ka pranuar “barrën e turpit” duke, sipas tij, lajkatuar një regjim të refuzuar nga një pjesë e madhe e botës.
Shehu thekson se madhësia e një shteti nuk është justifikim për mungesë qëndrimi moral, duke përmendur se Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut nuk kanë realizuar vizita të nivelit të lartë në Izrael. Ai shton se, nëse Rama do të mbante të njëjtin diskurs në kancelaritë perëndimore, do të përballej me reagime të ashpra nga media, intelektualët dhe shoqëria civile.
Në përfundim, analisti shprehet se mungesa e një qëndrimi të qartë ndaj, siç e quan ai, “një gjenocidi historik”, nuk e bën historik asnjë fjalim, duke e cilësuar gjithë narrativën si “një tufë gënjeshtrash”./ZYRTARE.net/



















