Lajme
Rami Mislimi: Lëvizja BESA motori kryesor i VLEN-it, ndërsa Alternativa me më shumë pushtet

Gazetari Rami Mislimi, në një shkrim analitik, vlerëson se Lëvizja BESA është aktualisht forca më e fuqishme politike brenda koalicionit VLEN, ndërsa roli dhe ndikimi i Izet Mexhitit është zbehur ndjeshëm.
Sipas Mislimit, Izet Mexhiti sot nuk përmendet më si faktor me peshë shtetërore, ndonëse dikur ishte lideri që i doli përballë drejtpërdrejt Ali Ahmetit. Ai thekson se Mexhiti tashmë vepron nën hijen e Bekim Salit dhe të Alternativës, duke humbur autonominë dhe fuqinë vendimmarrëse.
Në analizë thuhet se, në mungesë të zgjedhjeve të reja, Bekim Sali pritet të dominojë skenën politike shqiptare në nivel nacional, ndërsa Mexhiti rrezikon të mbetet një figurë lokale, e kufizuar në Çair, pa ndikim real në politikat qendrore.
Mislimi vëren gjithashtu se Mexhiti do të mbahet mend si një lider që u shkëput nga BDI-ja, por që më pas u rikthye në mënyrë të tërthortë, duke dëmtuar rëndë perspektivën e tij si shpresë për lidership të ri. Edhe pse, sipas tij, Mexhiti ka nën kontroll tre komuna dhe më shumë vota se Alternativa, pushteti real i tij mbetet më i vogël se ai i kësaj partie.
Në kontrast të plotë, gazetari e cilëson Lëvizjen BESA si motorin kryesor të VLEN-it, nën udhëheqjen e Bilall Kasamit dhe me koordinim politik nga Adnan Azizi. Ai thekson se BESA, brenda pak vitesh, ka arritur të sigurojë pothuajse të gjithë Pollogun, të fitojë disa komuna të fuqishme dhe të mposhtë BDI-në edhe në bastione tradicionale të saj.
Megjithatë, Mislimi kritikon ashpër pozitën e BESËS në pushtetin qendror, duke vlerësuar se përfaqësimi i saj është minimal dhe pa ndikim real. Edhe pse është partia me më së shumti vota brenda koalicionit VLEN, BESA disponon vetëm një gjysmë ministrie, atë të drejtuar nga Besar Durmishi, të cilën autori e cilëson si pa ingerenca dhe pa peshë politike në vendimmarrje.
Shkrimi i Mislimit ngre pikëpyetje serioze mbi balancat e brendshme të VLEN-it dhe shpërndarjen reale të pushtetit, duke theksuar se forca elektorale e Lëvizjes BESA nuk përkthehet proporcionalisht në pushtet qeverisës.
















