Lajme
Rama një “Ante” apo tregtar iluzionesh të humbura?

Sipas mitologjisë greke, Anteu merrte fuqi sa herë që prekte tokën. Në teatrin politik shqiptar, Edi Rama prek “tokën” e reformave dhe shpall veten gjigant. Por kjo tokë nuk është më burim force. Përkundrazi është një rërë lëvizëse, ku çdo hap rrezikon ta fundosë.
Ai foli dje për reforma kushtetuese, tkurrje të parlamentit nga 140 në 100 deputetë. Një lëvizje që duket si lojë shahu pa kundërshtar, por ku vetë loja është e ndotur nga dyshimi.
Pyetja është e thjeshtë: a ka legjitimitet moral për të prekur Kushtetutën një mazhorancë që mbijeton me pazare korridoresh dhe aleanca të përkohshme? Rama e di mirë se publiku është i lodhur nga rrugaçëria parlamentare.
Ai synon që të shfaqet si shpëtimtar, si i vetmi garant i shtetit. Por reduktimi i deputetëve, në një sistem ku vota është e tjetërsuar dhe listat janë të mbyllura, duket më shumë si një operacion kirurgjikal për të shuar edhe ato pak zëra kritikë që mund të mbeten.
Kur reformat ndërtohen mbi pazare dhe jo mbi parime, ato nuk janë më shtetndërtim, por thjesht mjete mbijetese personale. Ambicia e tij e vërtetë është më e madhe: një republikë gjysmë-presidenciale sipas modelit francez.
Një fasadë elegante për një realitet të zymtë. Kryeministri do të ishte figurë formale, parlamenti i tkurrur në numër e në influencë, ndërsa presidenti i gjithëpushtetshëm. Dhe kush tjetër veç Ramës do të ulej në atë karrige?
Drejtësia rrezikon të jetë viktima e radhës. Institucionet e pavarura, të ngritura me mund dhe përmes krizash, rrezikojnë të kthehen në shtojca të ekzekutivit. Autonomia zhduket, reforma shitet si modernizim, por në fakt është kapje e pastër.
Kryeministri po shfaqet sërish si një mjeshtër i iluzioneve: një regjim personal i veshur me kostum perëndimor. Rama foli edhe për “reformim të rregullores së Kuvendit”, që nënkupton kufizim të hapësirës së debatit, heqje të mjeteve procedurale të opozitës dhe rritje të kontrollit të mazhorancës.
Një ironi e hidhur, në kushtet kur çdo institucion është nën akuzë për kapje. Kushtetuta nuk është pronë e votave parlamentare. Është kontratë sociale e një populli. Dhe kontrata po shkelet hapur. Reformat pa opozitë dhe pa moral, nuk janë asgjë tjetër veçse iluzion i shitur bukur.
Një parlament më i vogël, një drejtësi e rrënuar dhe një presidencë e fortë: ky do të ishte funerali i pluralizmit. “Anteu” i Ramës nuk merr fuqi nga toka, por fluturon mbi një realitet që nuk e kupton më, duke u mbështetur në numra që mund të shkërmoqen nga pesha e mungesës së moralit politik.
Ky nuk është thjesht një sukses teknik, por një rrezik i vërtetë. Një demokraci që frymon vetëm nën vullnetin e një njeriu. Një tregti iluzionesh të humbura…/tesheshi/


















