Connect with us

Lajme

Rama, më Trump se vetë Trump!

Publikuar

Kryeministri Rama i është përgjigjur me një letër ftesës së Presidentit Trump për pjesëmarrje në Bordin e Paqes, duke luajtur rolin e tij që ndryshe quhet më “katolik se Papa”. Në këtë rast, më Trump se vetë Trump.

Në letër, Rama zgjedh që dhe t’i japë leksion presidentit amerikan, në rreshta dhe mes rreshtash, si për t’i thënë se “ideja jote korrespondon me idetë e mija dhe madje ka nevojë për to”.

Edhe pse shumë liderë me gjasë po mendohet dy a më shumë herë për projektin e Trump-it, nëse duhet ta përkrahin ose jo, Rama duket se nuk është menduar qoftë dhe njëherë e jo më dy a më shumë herë.

“I nderuar Zoti President,

Po ju shkruaj për të shprehur vlerësimin tim më të thellë për angazhimin tuaj të fortë dhe udhëheqjen vizionare në themelimin e Bordit të Paqes, si edhe për t’ju falënderuar sinqerisht për ftesën që më keni drejtuar personalisht për të qenë pjesë e tij, si edhe për ftesën drejtuar vendit tim, Republikës së Shqipërisë, për të shërbyer si anëtare themeluese.

Në një kohë kur konfliktet dhe përçarja dominojnë shumë shpesh panoramën ndërkombëtare, paqja duhet të formësohet aktivisht e jo të pritet pasivisht a diskutohet pafundësisht nëpër forume politike, teksa përreth globit jetë të pafajshme humbasin kotësisht çdo minutë. Bordi i Paqes shfaqet si mishërimi i kësaj domosdoshmërie urgjente.

Duke trajtuar njëkohësisht pasojat e menjëhershme të konflikteve dhe shkaqet më të thella strukturore që e prodhojnë paqëndrueshmërinë, kjo nismë ka potencialin të shndërrohet në një model vërtetë transformues të ndërtimit të paqes në nivel global.

Duket qartë se për të qenë një organizatë e re ndërkombëtare, Bordi i Paqes nuk është konceptuar si një forum tjetër deklaratash, procedurash dhe përgjegjësish të shtyra në kohë, por si një instrument i përqëndruar dhe qëllimplotë i udhëheqjes dhe përgjegjësisë globale.

Kur filtrohet pafundësisht përmes shtresave të procedurave, paqja shumë shpesh mbërrin tepër vonë; kjo nismë mishëron me plot të drejtë kuptimin se koha, qartësia e mandatit dhe përgjegjësia personale në nivelin më të lartë janë vetë instrumente të paqes.

Prandaj, është njëkohësisht privilegj dhe nder të shpreh gatishmërinë time të plotë për të kontribuar në këtë përpjekje të rëndësishme dhe për t’u bërë tërësisht pjesë e një angazhimi të përbashkët që synon ta përkthejë vizionin në veprim.

Republika e Shqipërisë ka qenë prej kohësh një aleate e palëkundur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e lidhur nga vlera të përbashkëta, respekt i ndërsjellë dhe një përkushtim i përbashkët ndaj lirisë, demokracisë dhe sigurisë ndërkombëtare.

Populli shqiptar do ta kujtojë gjithmonë dhe do ta çmojë vazhdimisht rolin parimor dhe vendimtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, drejt vendosjes së paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë në momente kritike të historisë sonë të përbashkët. Në këtë frymë të qëndrueshme partneriteti, dëshiroj të ritheksoj se Republika e Shqipërisë qëndron me vendosmëri përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në të gjitha përpjekjet për promovimin e paqes, sigurisë dhe angazhimit konstruktiv global.

Duke pritur me interes të kontribuoj në suksesin e misionit të Bordit të Paqes, ju lutem pranoni, Zoti President dhe Kryetar i Bordit, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Me respekt,

Edi Rama”.

NA NDIQ NË FACEBOOK