Religjion
Qëllimi i jetës dhe ambicia e besimtarit

Hfz. Mehas Alija
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë kërkojmë dhe tek Ai mbështetemi. Dëshmojmë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi a.s. është i Dërguari i Tij.
Vëllezër e motra të nderuara!
Allahu i Madhëruar në Kur’an thotë:
“A menduat se Ne ju krijuam kot dhe se nuk do të ktheheni tek Ne?” (el-Mu’minun, 115)
Ky ajet na mëson se jeta e njeriut ka qëllim dhe kuptim. Mirëpo, njerëzit nuk kanë të njëjtat ambicie. Ekzistojnë ambicie të përkohshme dhe ambicie të përhershme; ambicie të ulëta që mbarojnë me këtë botë dhe ambicie të larta që vazhdojnë edhe pas vdekjes.
Ambicia e besimtarit nuk është vetëm pasuria, posti apo fama, sepse këto janë kalimtare. Ambicia e vërtetë është që njeriu, me çdo veprim të tij, të kërkojë kënaqësinë e Allahut. Këto janë qëllime pozitive dhe të qëndrueshme, që i japin kuptim jetës.
Allahu i Madhëruar thotë:
“Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” (edh-Dharijat, 56)
Ky adhurim nuk do të thotë largim nga jeta, por drejtim i drejtë i saj. Besimtari punon, fiton, ndërton familje dhe shoqëri, por gjithçka e bën me qëllim të pastër dhe me përgjegjësi. Edhe pasuria, nëse shërben për familjen, apo për të ndihmuar të tjerët dhe për të mirën e shoqërisë, bëhet ibadet.
Sidomos rinia është koha kur ambiciet formësohen. Pejgamberi a.s. na ka porositur ta shfrytëzojmë rininë para pleqërisë dhe jetën para vdekjes. Jeta pa qëllim është jetë pa drejtim.
Shembull i madh për ambicie të lartë është Imam Buhariu. Që në moshë të re ai kishte një qëllim të qartë dhe një vullnet të fortë. Ambicia e tij nuk ishte për këtë botë, por për dobinë e umetit dhe Allahu xh.sh. e bëri mjet për ruajtjen e haditheve të sakta të Pejgamberit a.s..
Kur Imami Buhariu ishte vetëm 14 vjeç, mori pjesë në një tubim shkencor ku dëgjoi dy dijetarë duke u ankuar për përhapjen e përmbledhjeve të haditheve në të cilat ishin përzier hadithet e rreme me ato të sakta. Ata iu lutën Allahut që të dërgonte dikë që do t’i sistemonte dhe do të përpilonte një përmbledhje vetëm me hadithe të besueshme. Atëherë, i riu Buhari i tha vetes: “Unë do ta bëj këtë, nëse Allahu do.” Më vonë, me përkushtim të jashtëzakonshëm, durim dhe sakrificë, ai e përpiloi veprën madhore “Sahihul Buhari”, e cila përmban vetëm hadithe autentike dhe që, pas Kur’anit Fisnik, konsiderohet burimi më i rëndësishëm i mësimit islam. Ai e arriti këtë qëllim me punë të palodhur dhe vullnet të fortë: netët i kalonte duke studiuar, shënonte dhe memorizonte, dhe shpesh ngrihej gjatë natës për të shënuar mendimet dhe hadithet që i vinin në mendje. Këta ishin njerëz me ambicie të mëdha dhe qëllime të pastra. Allahu i Madhëruar e ngrit njeriun sipas qëllimit dhe përpjekjes së tij.
Vëllezër e motra!
Le të pyesim veten: çfarë ambicie kemi dhe çfarë qëllimi po ndjekim? A janë qëllimet tona kalimtare, apo të lidhura me kënaqësinë e Allahut?
Allahu na dhëntë qëllime të pastra, ambicie të larta dhe vepra të pranuara. Amin.
(Hutbeja e xhumasë, mbajtur në xhaminë El-Hidaje, St.Gallen, më 30.01.2026, e premte)






















