Connect with us

Lajme

Përmbytjet në Shqipëri: kur “natyra” është thjesht alibi

Publikuar

Për të disatën herë brenda pak viteve, Shqipëria gjendet nën pushtetin e ujit. Pamjet e vjetra, që tashmë i kemi parë në çdo sezon shirash, janë rikthyer si një “deja vu” e dhimbshme: toka bujqësore të shndërruara në këneta, rrugë urbane që lundrohen me varka dhe qytetarë që mbrojnë me dëshpërim pragun e shtëpisë me thasë rëre.

Por, ndërsa zyrtarët nxitojnë të fajësojnë “kapriçot e natyrës” dhe intensitetin e rritur të rreshjeve nga ndryshimet klimatike, e vërteta që qëndron nën llumin e përmbytjeve është shumë më njerëzore dhe shumë më politike.

Përmbytjet e fundit nuk janë një aksident natyror, por një dëshmi e dështimit kronik të administrimit të territorit. Ato janë rezultati i drejtpërdrejtë i dekadave të tëra me ndërtime pa kriter në shtretërit e lumenjve, i bllokimit të kanaleve kulluese me mbeturina dhe beton, si dhe i shpyllëzimit barbar që e ka lënë tokën pa mbrojtjen e saj natyrale.

Kur shiu bie, ai thjesht ndjek rrugën që ne ia kemi zënë me babëzi urbane. Ndërkohë që qytetarët përballen me humbjen e pasurisë së një jete nën baltë, kryeministri Edi Rama duket se e ka mendjen diku tjetër, larg “shqetësimeve provinciale” të Shkodrës Lezhës, Durrësit apo Gjirokastrës.

Në një apati të plotë ndaj emergjencave të brendshme, ai preferon të udhëtojë nëpër kryeqytetet e botës, duke tentuar të luajë rolin e një lideri global dhe paqebërësi ndërkombëtar.

Ky kontrast është sa fyes, aq edhe paradoksal: një kryeministër që kërkon të zgjidhë krizat e botës nëpër samite luksoze, por që nuk është i aftë të mbajë të thata këmbët e zgjedhësve të vet.

Është një braktisje e përgjegjësisë parësore për një shtetar; një rendje pas “vlerave globale”, në një kohë që vlerat bazike të sigurisë së jetës dhe pronës në atdhe janë mbytur nga mungesa e vullnetit për të menaxhuar realisht infrastrukturën hidrike.

Problemi më i madh nuk është mungesa e fondeve, por keqmenaxhimi i tyre. Çdo vit dëgjojmë për tendera milionësh për pastrimin e kanaleve dhe mirëmbajtjen e hidrovoreve, por sapo vjen dimri, këto investime duken se “shpëlahen” bashkë me shirat e parë.

Emergjencat civile vazhdojnë të funksionojnë me logjikën e “shuarjes së zjarrit”, pasi shtëpia është djegur, në vend që të investohet në infrastrukturë parandaluese afatgjatë. Më shumë se sa prurjet e lumenjve, ajo që të shqetëson më shumë në situata të tilla është prurja e papërgjegjshmërisë.

Pa një plan të mirëfilltë teknik që bazohet në inxhinieri dhe jo në propagandë elektorale, Shqipëria do të mbetet peng i motit. Ka ardhur koha që përgjegjësia të mos kërkohet te retë në qiell, por te projektet në tavolinë dhe te kontrolli i rreptë mbi territorin.

Përndryshe, pas çdo stuhie, do të mbetemi duke numëruar dëmet dhe duke pritur që dielli të na thajë turpin e radhës.

 

NA NDIQ NË FACEBOOK