Lajme
Nga refugjat në “trurin” e dëbimeve të emigrantëve nga SHBA

Stephen Miller mund të jetë fytyra publike e fushatës së paprecedentë të administratës Trump për dëbimet masive të emigrantëve, por baza intelektuale e kësaj politike, u hartua në heshtje nga George Borjas.
Ekonomisti 75-vjeçar i Universitetit të Harvardit, i cili sapo dha dorëheqjen nga Këshilli i Këshilltarëve Ekonomikë (CEA) të Shtëpisë së Bardhë, ka qenë pionier në studimin e efekteve negative të migracionit, duke u shndërruar në një figurë qendrore të asaj që sot njihet si “ekonomia e kufijve të mbyllur”.
Historia e Borjas, është një mishërim i jashtëzakonshëm i të famshmes “Ëndrra Amerikane”, por me një fund ironik dhe shpesh të dhimbshëm për ata që e shohin nga jashtë. I lindur në Kubë në vitin 1950, ai përjetoi me shpinën e tij brutalitetin e qeverisë së Fidel Kastros, e cila i sekuestroi familjes së tij biznesin e vogël të prodhimit të xhinseve.
Në moshën 12-vjeçare, falë politikave liberale të epokës së Xhon Kenedit që mirëpritnin refugjatët që arratiseshin nga komunizmi, ai dhe nëna e tij u vendosën në Miami. Ai nuk e ka harruar kurrë ndikimin e asaj kohe, duke shkruar në një libër: “Sistemi im neurologjik nuk është rikuperuar kurrë plotësisht nga tronditja e kalimit prej algjebrës, te të mësuarit mbi Marksin, Leninin dhe Revolucionin Kuban”.
Por pikërisht këtu nis edhe transformimi i tij i pabesueshëm. Ndërsa vetë ishte produkt i një politike të “dyerve të hapura” për refugjatët, Borjas e ka kaluar karrierën e tij duke argumentuar se këto dyer duhet të mbyllen për hallexhinjtë e tjerë.
Ai është kthyer hapur kundër “të ngjashmëve të vet”, pra emigrantëve që sot kërkojnë të njëjtin shpëtim që ai gjeti në vitin 1962. Ai nuk nguron të pranojë dualitetin e tij edhe në shkrimet e tij: “Unë jo vetëm që kam simpati të madhe për dëshirën e emigrantëve për të ndërtuar një jetë më të mirë, por jam gjithashtu provë e gjallë se politika e imigracionit mund t’u sjellë shumë dobi disa njerëzve”.
Megjithatë, kjo simpati e tij mbetet vetëm në letër, pasi studimet që ka kryer dhe po kryen po përdoren për të justifikuar dëbimet masive. Ndikimi i tij te Trump dhe Stephen Miller është i rrënjosur në një studim specifik që godet pikërisht bashkëkombësit e tij kubanë.
Miller ka cituar shpesh gjetjet e Borjas mbi “Anijet e Marielit” të vitit 1980, përmes të cilave mijëra kubanë zbarkuan në Miami. Sipas Borjas, ky fluks bashkëkombësish uli pagat e punëtorëve vendas, një argument që sot shërben si shtylla kryesore e fushatës që i portretizon emigrantët e rinj jo si kërkues lirie, por si një kërcënim ekonomik.
Ky pozicionim e vendos Borjas në një rol dukshëm paradoksal: ai është intelektuali që e ka justifikuar në nivel “shkencor” frikën ndaj tjetrit, madje edhe kur “tjetri” ka të njëjtën histori, të njëjtën gjuhë dhe të njëjtat trauma si ai.
Ishte ky radikalizëm e çoi atë drejt hartimit të politikave të ashpra, si tarifa prej 100.000 dollarësh për vizat H-1B, duke argumentuar se kompanitë që duan punëtorë të huaj “duhet të mbajnë një pjesë të kostos” për të mos zëvendësuar krahun vendas të punës.
Për Borjas, një kufi i hapur është një recetë për depresion ekonomik, një qëndrim që e ka mbajtur edhe në momentet e tij të fundit në Shtëpinë e Bardhë, duke e cilësuar si “shumë depresive” valën e fundit të migrimit nën administratën Biden.
Ai thumbon hapur ata që ai i quan “utopistë”, duke thënë se “pretendimi i dikurshëm i John Lennon se sa e lehtë do të ishte të imagjinohej jeta pa kufij, është shumë larg realitetit”.
Pavarësisht staturës së tij shkencore me mbi 73.000 citime, pyetja që mbetet pezull mbi George Borjas është morale: Si mundet një njeri, që dikur i iku shtypjes për të gjetur lirinë, të bëhet njeriu që planifikon muret për të tjerët si ai?
Ndërsa ai vetë “e urren absolutisht” që të quhet një ksenofob, veprimet e tij flasin ndryshe. Ai mbetet njeriu që i dha dorën e fundit doktrinës “America First” (Amerika e Para), duke dëshmuar se ndonjëherë, arkitektët më të ashpër të mureve, janë pikërisht ata që dikur i kanë kapërcyer ato, por sapo kanë hyrë brenda kanë vendosur ta kyçin derën pas vetes.





















