Religjion
Ne njihemi sipas Kibles | Islam Press

Imam Ahmed ibn Hanbeli transmeton nga Vehb ibn Munebbihu se ka thënë: “Përcillet se Musai (a.s.), kaloi pranë një njeriu që lutej me përulësi të thellë. Musai (a.s.) tha: ‘O Zot, mëshiroje atë, sepse vërtet unë ndjeva një dhembshuri të thellë për të!’ Atëherë Allahu i Lartësuar i shpalli Musait (a.s.): ‘Edhe sikur të Më lutej deri në rraskapitje, nuk do t’ia pranoja lutjen e tij, sepse ai nuk e njeh dhe nuk e kupton se sa i madh është haku Im tek ai.’”
Njeriu ka të drejta, por ka edhe detyrime; ai nuk mundet vetëm të marrë, por duhet edhe të japë. Ai duhet t’i përmbushë detyrat dhe obligimet e tij që të meritojë pagë dhe shpërblim. Muaji i kaluar, rexhebi, ky muaji aktual, shabani, dhe ai që po na vjen për gëzimin tonë, ramazani, janë mundësi e artë për ndryshimin e njeriut.
Nata e Regaibit mund ta ketë mbjellë farën e këtij ndryshimi, Nata e Miraxhit mund ta ketë nxitur edhe më tepër, ndërsa Nata e Beratit është një motiv i fuqishëm që ne të ndryshojmë, sepse ajo natë ka lidhje me fatet njerëzore dhe largimin nga kjo botë. Përveç Natës së Beratit, në këtë muaj drejt ndryshimit na nxit edhe ngjarja e vitit të dytë të hixhretit – ngjarja e ndryshimit të kibles.
Deri në atë vit dhe deri në atë muaj shaban, muslimanët në namaz i kthenin fytyrat e tyre drejt Jerusalemit, drejt xhamisë së largët, Mesxhidu’l-Aksasë. Atëherë Allahu i Lartësuar, për gëzimin e të Dërguarit dhe të sahabëve, përcaktoi që deri në Ditën e Kijametit drejtimi i kthimit në namaz të jetë Meka, Qabeja. Bashkëqytetarëve të tyre, jomuslimanëve në Medinë, nuk u pëlqeu që muslimanët u kthyen nga Jerusalemi dhe i drejtuan fytyrat e tyre nga Meka; mirëpo ky urdhër u dërgonte muslimanëve mesazh të qartë se: ju nuk i ngjani askujt; ju, si muslimanë, jeni të dallueshëm dhe autentikë.
Ne, në muajin e ndryshimit të kiblës, duhet të kuptojmë se si muslimanë nuk duhet të njihemi vetëm në kohë fatkeqësish, por edhe në përditshmëri. Ai njeriu për të cilin Musai i lutet Allahut për mëshirë, ishte besimtar vetëm kur e kishte vështirë; ai nuk i përmbushte obligimet ndaj Allahut; i neglizhonte dispozitat e fesë kur ishte i shëndetshëm dhe i gëzuar; ai e kërkonte Allahun dhe ndihmën e Tij vetëm në rast të sëmundjes dhe të pikëllimit. Të tillë ka shumë. Allahu i Lartësuar flet për ta përmes shembullit të anijes në det të trazuar: kur janë në rrezik, të gjithë e kërkojnë ndihmën e Allahut; por kur anija mbërrin në tokë, atëherë ata e harrojnë Allahun.
Muslimani njihet përmes namazit. Ai falet pesë herë në ditë: falet kur është në shtëpi dhe kur është në udhëtim, kur është i shëndetshëm dhe kur është i sëmurë; falet në këmbë, ulur, shtrirë, me shenja… Nëse për shkak të punës nuk arrin të falet në kohë, ai e kumpenson më pas atë, por kurrë nuk heq dorë nga namazi. Kur i lutesh Allahut për diçka, ndoshta je si ai njeriu që Musai (a.s.) e gjeti duke u lutur; kërkon, por nuk jep. Në muajin shaban u ndryshua kibla – prandaj ndrysho edhe ti; përmes namazit afrohu tek Allahu i Madhëruar. Bëhu i dallueshëm duke e jetuar Islamin; bëhu i njohur si musliman.
Muslimani dhe muslimanja njihen edhe nga veshja e tyre. Ekzistojnë dispozita të qarta për minimumin e veshjes, si në vapë ashtu edhe kur është ftohtë. Në çdo rrethanë, muslimani dhe muslimanja janë të dinjitetshëm dhe të ndershëm. Nuk mund të kërkosh nga Allahu ndihmë dhe mbrojtje nga zjarri, ndërkohë që vetë të mos mbrohesh prej tij.
Në këtë muaj Allahu i Lartësuar e ka përcaktuar drejtimin. Ai është vetëm drejtimi ynë; nuk e ndajmë me askënd. Ky drejtim e përcakton identitetin tonë. Një nga pyetjet në varr është: Ku e ke pasur kiblën? Kthehu drejt asaj kibleje dhe bëhu i njohur si musliman, bëhu e njohur si muslimane. Përmbushe obligimin tënd dhe mbuloje trupin tënd me veshjen tënde, dhe atëherë do të mund t’i drejtohesh Allahut për ndihmë edhe në vështirësi.
Muslimani njihet edhe nga familja e rregullt, e ekuilibruar dhe e harmonishme: familja në të cilën prindërit janë edukatorë të ndërgjegjshëm. Ata i edukojnë fëmijët e tyre me shembull personal dhe kështu kontribuojnë në lumturinë e përgjithshme dhe në përparimin e shoqërisë. O baba dhe oj nënë, ky është muaji shaban, muaji i ndryshimit të kiblës. Pa dyshim ju dëshironi që fëmijët tuaj të jenë të hajrit. Atëherë duhet ta ndryshoni drejtimin e lëvizjes dhe të veprimit tuaj. Çfarë shembulli u jep fëmijëve, o baba, kur shkon në bastore dhe i sjell fletëpagesat e tyre në shtëpi? Çfarë shembulli u jep kur e kalon kohën në kafene, kur nuk i respekton prindërit e tu, as ti e as bashkëshortja jote? Çfarë shembulli u jep fëmijëve, oj nënë, kur di gjithçka për personazhet e serialeve, por nuk di asgjë për farefisin tënd, për komunitetin tënd, e kështu me radhë? Para disa ditësh mësova se gjithnjë e më shumë fëmijët tanë kanë probleme serioze mendore për shkak të përdorimit të pakontrolluar të telefonave celularë. Prindërve u vjen më lehtë që t’au ofrojnë fëmijëve një telefon celular, sesa një bisedë dhe një lojë. Një qasje e tillë, një “kujdes” i tillë ndaj fëmijëve, rezulton me humbjen e tyre.
Që Allahu të të vijë në ndihmë – e këtë sigurisht që e dëshiron – dhe që fëmijët t’i nxjerrësh në selamet, ti duhet të ndryshosh, t’i përmbushësh obligimet dhe detyrat e tua. Është haku i Allahut që të kërkojë prej teje ta falësh namazin e sabahut dhe t’i zgjosh fëmijët për namaz; që të agjërosh dhe t’i nxitësh fëmijët për agjërim; që të jesh i mirë ndaj prindërve dhe t’u japësh fëmijëve shembull se si duhet të sillen ata ndaj teje. Është haku i Allahut të kërkojë që të vishesh me dinjitet dhe të mos përhapësh imoralitet në Tokë. Ai njeriu për të cilin Musai (a.s.) i kërkoi Allahut që ta mëshironte, nuk e kupton këtë hak të Allahut; prandaj as nuk do ta gëzojë mëshirën e Tij.
Muslimanët njihen nga një shoqëri e rregulluar. Shoqërinë e rregullojnë njerëzit, ndërsa rregullat i përcakton Krijuesi i njerëzve. Shoqëria jonë është e parregulltë. Të gjithë thërrasim për ndryshime. Këto ndryshime – e kemi thënë shumë herë – nuk do të vijnë nga jashtë; ato duhet të vijnë nga brenda nesh. As zgjedhjet e ardhshme, as ato pas tyre, asnjë palë zgjedhjesh nuk do të sjellin ndryshim, sepse ne nuk kemi nevojë për zëvendësim, por për ndryshim. Të gjitha zgjedhjet e deritashme kanë sjellë vetëm zëvendësimin e disave me disa të tjerë, ndërsa shoqëria ka mbetur në të njëjtën parregullsi.
Shabani i këtij viti është mundësia e vërtetë që t’i ftojmë të gjithë, edhe ata në pushtet, që të ndryshojnë dhe të njihen si muslimanë: të ndershëm, besnikë, punëtorë, të dobishëm për të tjerët dhe të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre. Është haku i Allahut të kërkojë prej tyre që të kujdesen për njeriun e thjeshtë, për të sëmurin, për të papunin, për të pafuqishmin… jo që ata personalisht të kujdesen për secilin, por që të vendosin një sistem që do të jetë i mirë për të gjithë, e jo vetëm për ata.
Le të jetë ndryshimi i kiblës nga viti i dytë i hixhretit, në këtë shaban në të cilin ndodhemi, një nxitje për të gjithë që të ndryshojnë, dhe si muslimanë të jetojnë dhe si muslimanë të vdesin. Amin!
Hatib: Izet ef. Čamdžić
Përgatiti në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)























