Connect with us

Religjion

Ne dëshirojmë ngjitjen në përqafimin e mëshirës së Allahut

Publikuar

Muaji i bekuar i rexhebit fillon me Natën e Regaibit dhe përfundon me Natën e Miraxhit. Ai nis me natën e bekuar të dëshirave dhe mbyllet me natën e bekuar të ngritjes. Nuk ka dyshim se ne jemi të mbushur me dëshira – me dëshira dhe shpresa që ato të na përmbushen. Që disa nga këto dëshira të bëhen realitet, ne punojmë me përkushtim, lodhemi dhe përpiqemi. Kështu edhe duhet të jetë, sepse Allahu i Lartësuar e ka krijuar njeriun që të përpiqet, të luftojë, të fitojë, ta sigurojë furnizimin në mënyrë hallall dhe ta shpenzojë në atë që është e mirë.

Të fitosh që të vishesh bukur është e nxitur nga feja. A nuk ka thënë i Dërguari i Allahut se begatia e kësaj bote duhet të shihet tek ju? – Të fitosh që të banosh dhe të jetosh në një shtëpi të bukur është e nxitur nga feja. A nuk ka thënë i Dërguari i Allahut se për sigurinë dhe lumturinë nevojitet pikërisht kjo? – Të fitosh që të udhëtosh me mjet të mirë është e nxitur nga feja. A nuk ka thënë i Dërguari i Allahut se njeriun e bën të lumtur një mjet i mirë i udhëtimit? – Të fitosh që të kesh edhe për të nesërmen është e nxitur nga feja. A nuk lexojmë në suren Jusuf se duhet planifikuar dhe kursyer? – Të fitosh që të jesh i pasur është e nxitur nga feja, sepse në këtë mënyrë mund t’i përmbushësh fërkesat e fesë: të therësh kurban, të japësh sadaka dhe zekat, të shkosh në haxhillëk, të bëhesh dhurues i vakëfit… Të fitosh në mënyrë të lejuar është e nxitur nga feja; feja insiston në këtë dhe këtë e quan xhihad.

Muaji i rexhebit është muaji i pendimit. Ai na jep mundësinë që të vetëanalizohemi, të shkëputemi nga shprehitë e këqija dhe mëkatet, dhe të pendohemi sinqerisht. Pse ky muaj quhet muaji i Allahut? – e pyetën të Dërguarin e Allahut, dhe ai u përgjigj:
“Sepse Allahu në të fal shumë.” Ky muaj përfundon me ngritjen – me miraxhin. I Dërguari i Allahut, siç dëshmon edhe Shpallja, udhëtoi natën, brenda një nate, nga Meka në Jerusalem, e pastaj po atë natë u ngrit deri tek Arshi i Allahut. U ngrit aty ku askush nuk ishte ngritur më parë, e kaloi kufirin ndërmjet dy botëve, e kaloi Sidretu’l-Munteha-në, dhe këtë e bëri i vetëm, pa Xhibrilin. Prej andej na solli atë që na mundëson edhe neve ngritjen: na solli ajetet e fundit të sures el-Bekare, na solli namazin dhe u nderua me shefaatin.

Kush dëshiron që të ecë në rrugën drejt shefaatit të të Dërguarit të Allahut, duhet të nisë të ngjitet shkallëve të ngritjes së vet dhe të fitores mbi vetveten.

Shkalla e parë është njohja e së vërtetës se: “Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë…” (el-Bekare, 284). Ne i shfrytëzojmë begatitë e Allahut dhe, duke i përdorur ato, përpiqemi ta bëjmë këtë në mënyrë të drejtë, brenda kufijve që Ai ka caktuar, në mënyrë që të ecim drejt kënaqësisë së Tij dhe drejt ngritjes sonë shpirtërore.

Shkalla e dytë është bindja e thellë se: “… Edhe nëse e tregoni apo e fshihni çfarë keni në shpirtin tuaj, Allahu do t’ju kërkojë llogari për të. Kështu, Ai do ta falë kë të dojë dhe do ta dënojë kë të dojë. Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.” (el-Bekare, 284). Në rrugën e ngritjes sonë në përqafimin e mëshirës së Allahut, është e domosdoshme që ta dimë se për të Gjithëdijshmin asgjë nuk është e fshehtë. Prandaj, besimtari nuk mburret me bamirësinë e tij, sepse Allahu e di atë, as nuk pajtohet me mëkatin e kryer, por përpiqet që të pendohet sinqerisht. Ndërsa Allahu e fal atë që dëshiron, përkatësisht, e fal atë që pendohet sinqerisht.

Shkalla e tretë është që të besojmë në atë që beson i Dërguari i Allahut dhe që të themi me bindje: “dëgjoj dhe bindem”, duke qenë të vetëdijshëm se, sado dhe sido që të jetojmë, tek Allahu do të kthehemi. E çfarë është më e rëndësishme për t’u përgatitur për këtë udhëtim të domosdoshëm, përveç besimit dhe bindjes, përveç fjalës La ilahe il-lallah, të ngulitur fort në zemër, dhe përveç bamirësisë së dukshme në jetën e përditshme?

Shkalla e katërt është vetëdija dhe njohja se gjithçka që i Lartësuari na ka ngarkuar si detyrim është në përputhje me mundësitë tona, sepse Ai nuk na ka bërë asgjë të vështirë në fe. Në rrugën e ngritjes sonë në përqafimin e mëshirës hyjnore, nuk kemi pse të shqetësohemi për atë që nuk jemi në gjendje ta bëjmë; për këtë askush nuk do të na pyesë. Por nuk ka ngritje drejt shoqërisë së të zgjedhurve dhe të nderuarve me mëshirën e Allahut, nëse e shpërfillim atë që mundemi ta bëjmë. Askush nuk do të na pyesë pse nuk e bëmë atë që nuk mundëm, por le të na ndjekë çdo ditë pyetja: “A bëra unë sot gjithçka që munda?”

Shkalla e pestë është lutja: “… Zoti ynë, mos na ndëshko për atë që harrojmë ose veprojmë pa qëllim! Zoti ynë, mos na ngarko barrë të rëndë, ashtu si i ngarkove ata para nesh! Zoti ynë, mos na ngarko me diçka që nuk mund ta bartim! Na i shlyej gjynahet tona, na i fal ato dhe na mëshiro…!” (el-Bekare, 286). Mos dyshoni se kjo lutje do të pranohet, nëse i ke kaluar katër shkallët e mëparshme me hap të vendosur dhe ke këmbëngulur në atë mënyrë jetese.

Në në rrugën e ngritjes, në ecjen drejt shkallëve të mëshirës së Allahut, që të mos rrëshqasim, na është dhënë dhurata e miraxhit – namazi. Çdo ditë, përmes namazit, përmes miraxhit tonë personal, ne flasim me Krijuesin, e forcojmë veten, e këshillojmë shpirtin dhe ia sigurojmë vetvetes përgjigjen e saktë për pyetjen e parë që do të na shtrohet në rrugën drejt shefaatit të të Dërguarit të Allahut.

Nata e Regaibit, nata e dëshirave, ishte fillimi i këtij muaji të rexhebit, ndërsa nata e Miraxhit është fundi i tij. Dëshira jonë, krahas të gjitha dëshirave të kësaj bote, është që ta arrijmë edhe dëshirën e ahiretit: që të bëhemi të denjë për shefaatin e të Dërguarit dhe të banojmë në kopshtet e Xhenetit. Miraxhi na e mëson rrugën drejt përmbushjes së kësaj dëshire, që të jemi të lumtur përjetësisht.

O Allahu i Lartësuar, na ndihmo në rrugën e ngritjes sonë në përqafimin e mëshirës Tënde. Amin!

Hatib: Izet ef. Čamdžić

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)