Lajme
Mafia fut hundët edhe tek Lojërat Olimpike…

Përgatitjet për Lojërat Olimpike Dimërore “Milano Cortina 2026”, janë kthyer në një fushëbetejë mes shtetit italian dhe krimit të organizuar. Siç raporton The Guardian, projektet gjigante ndërtimore kanë shërbyer si një portë për infiltrimin e mafies, duke përsëritur skenarët e errët të ngjarjeve të mëdha të kaluara, si Ekspozita Botërore e vitit 2015.
Në tetor të vitit të kaluar, një hetim i gjerë i karabinierëve në Belluno çoi në arrestimin e tre personave, përfshirë dy anëtarë të grupit famëkeq të tifozëve “Lazio Ultras”. Ata akuzohen se tentuan të merrnin nën kontroll Cortina d’Ampezzo përmes një plani me tre faza: dominimin e tregut të drogës, marrjen e klubeve të natës dhe, më e rëndësishmja, shantazhimin e këshillit lokal për të fituar kontratat e majme të ndërtimit për Lojërat Olimpike.
Edhe pse të arrestuarit nuk ishin anëtarë formalë të klaneve tradicionale, ata përdorën “metodën mafioze”: dhunë, rrëmbime me armë dhe korrupsion politik. Sipas Drejtorisë Hetimore Antimafia (DIA), sektori i ndërtimit mbetet pika më e dobët.
Në vitin 2024, rreth 38 për qind e masave antimafia në Itali lidheshin me ndërtimin, ndërsa vetëm në Lombardi u lëshuan 50 urdhra ndalimi për kompani që kishin lidhje me mafian ”Ndrangheta”. Me një kosto që i kalon 5.7 miliardë euro (ku pjesa dërrmuese shkon për infrastrukturë rrugore), Lojërat përfaqësojnë një “tortë” tepër të madhe për t’u injoruar nga grupet kriminale.
Përballë këtij rreziku, organizata “Libera”, e udhëhequr nga Leonardo Ferrante, ka krijuar iniciativën “Open Olympics 26”. Qëllimi është transparenca sa më e madhe. Falë presionit të tyre, organizatorët janë detyruar të publikojnë marrëveshjet financiare çdo 45 ditë.
Kjo ka nxjerrë në dritë faktin se shumë projekte nuk do të përfundojnë deri në vitin 2033, dhe se 60 për qind e tyre kanë anashkaluar vlerësimet mjedisore në emër të “emergjencës”. Edhe pse Italia njihet për problemet me mafien, ajo po bëhet edhe model për luftën ndaj saj.
Grupet antimafia italiane tani po bashkëpunojnë me Francën për Lojërat e vitit 2030, duke synuar të krijojnë një “trashëgimi qytetare” që mbron sportin nga korrupsioni. Mesazhi është i qartë: ku ka fonde publike, ka rrezik infiltrimi, por transparenca mbetet arma më e fortë për të mbajtur krimin larg pistave të skive./tesheshi. com/



















