Bota
Maduro para gjykatës në Nju Jork: Jam rrëmbyer dhe ende jam president i Venezuelës

Presidenti i rrëzuar i Venezuelës, Nicolás Maduro, u paraqit sot për herë të parë para një gjykate federale në Nju Jork, ku deklaroi se ishte “rrëmbyer” nga shtëpia e tij në Karakas dhe theksoi se ende e ushtron funksionin e presidentit.
Maduro dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, u deklaruan të pafajshëm ndaj akuzave për trafik droge dhe armësh. Gjatë paraqitjes së shkurtër para gjyqtarit Alvin Hellerstein, Maduro përdori tone sfiduese, duke pretenduar se ndalimi i tij gjatë natës nga forcat amerikane përbën një “rrëmbim ushtarak”.
Në përputhje me strategjinë ligjore të mbrojtjes, avokati i Madurros, Barry Pollack, deklaroi se mbrojtja do të kontestojë në radhë të parë ligjshmërinë e ndalimit dhe legjitimitetin e autoriteteve amerikane për të kryer një operacion në territor të huaj. Pollack theksoi se klienti i tij është kreu i një shteti sovran dhe gëzon imunitet diplomatik. Megjithatë, ky status është i diskutueshëm, pasi SHBA prej disa vitesh nuk e njeh regjimin e tij si legjitim.
Analistët kujtojnë rastin e liderit panamez Manuel Noriega para tre dekadash, i cili u përpoq të përdorte një mbrojtje të ngjashme pas pushtimit amerikan të Panamasë, por argumentet e tij atëherë u hodhën poshtë nga gjykatat.
Sipas korrespondentëve të mediave amerikane, paraqitja e parë e Madurros kishte elemente të një “shfaqjeje publike”, gjë e pazakontë për sistemin federal në SHBA. Ata theksojnë publikimin e fotografive policore (mugshots) dhe “parakalimin” publik para kamerave, praktika që zakonisht shmangen për të mos cenuar të drejtën e të akuzuarit për prezumimin e pafajësisë.
Ndërkohë, djali i Madurros, Nicolás Maduro Guerra, nga Asambleja Kombëtare e Venezuelës bëri thirrje për “solidaritet ndërkombëtar”, duke e quajtur operacionin e SHBA-së një kërcënim të drejtpërdrejtë për stabilitetin global dhe barazinë sovrane të kombeve. Ai hodhi poshtë edhe akuzat ndaj tij, duke pretenduar se familja e tij është viktimë e përndjekjes politike.
Ndërsa Maduro ndodhet në paraburgim në Nju Jork, situata në Venezuelë mbetet e paqartë. Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se SHBA tani “e ka kontrollin”, ndërsa presidentja në detyrë, Delcy Rodríguez, bëri thirrje për bashkëpunim me Uashingtonin. Trump njoftoi se kompanitë amerikane do të marrin pjesë në rindërtimin e industrisë së naftës të vendit.
Njëkohësisht, në kontekstin më të gjerë rajonal, Trump u dërgoi paralajmërime Kolumbisë dhe Meksikës për forcimin e luftës kundër narkotikëve, duke theksuar qasjen e re, më të ashpër të politikës së jashtme amerikane.















