Lajme
Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër mohon lidhjen me “imamin shqiptar” ndaj të cilit ka nisur proces gjyqësor

Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër ka reaguar ndaj lajmeve të publikuara në disa media për nisjen e një procesi gjyqësor në Zvicër ndaj një personi të cilësuar si “imam shqiptar”.
Përmes një deklarate për opinionin publik, Komuniteti sqaron se personi në fjalë **nuk është imam i Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër**, nuk mban asnjë funksion fetar në strukturat e tij dhe **nuk shërben në asnjë xhami shqiptare në Zvicër**. Sipas deklaratës, çdo lidhje e tij me institucionet fetare shqiptare në Zvicër është e pavërtetë dhe e pasaktë.
“Komuniteti Musliman Shqiptar në Zvicër distancohet nga çdo veprim i kundërligjshëm dhe thekson se parimet tona fetare dhe institucionale janë të bazuara në ndershmëri, përgjegjësi morale dhe respektim të plotë të ligjit”, thuhet në reagim.
Nga ky komunitet u bëhet thirrje mediave që në raportimet e tyre të tregojnë kujdes dhe përgjegjësi, me qëllim që të mos krijohen keqkuptime dhe të mos dëmtohet padrejtësisht imazhi i komunitetit musliman shqiptar, i cili, siç theksohet, prej dekadash kontribuon pozitivisht në shoqërinë zvicerane.





















