Lajme
Kasami: Do të kërkojmë që shfuqizimi i qeverisë teknike të jetë pas zgjedhjeve të ardhshme

Njëri nga liderët e VLEN, Bilall Kasami në intervistën në Alsat-M ka thënë se si koalicion VLEN do të kërkojnë në takimin e nesërm të liderëve që shfuqizimi i qeverisë teknike të ndodhë pas zgjedhjeve të ardhshme apo të rregullta, krejt kjo për të qenë siç thotë, korrekt ndaj opozitës.
“Qeveria teknike është e qartë se u themelua në kushte krize për shtetin, por si një shtet pretendent për të qenë pjesë e BE-së, mendoj se duhet të funksionojmë me qeveri politike, normale si çdo shtet i Bashkimit Evropian. Edhe ne jemi për shfuqizimin e qeverisë teknike”, tha Kasami.
Ai shton se janë për atë që të drejtat e shqiptarëve të jenë reale, kushtetuese dhe të rregulluara me ligj.
Me VLEN mund të udhëhiqen pozicione të rëndësishme në shtet
Siç nënvizoi madje Kasami, marrëveshja për kryeministrin shqiptar është marrëveshje mes LSDM-së dhe BDI-së, nuk është pjesë e marrëveshjes së Përzhinës.
“Në marrëveshjet politike, ne me kryeministrin aktual, siç kemi arritur të realizojmë shumë gjëra që nuk ka mundur BDI t’i realizojë, ne mund të kemi edhe një marrëveshje të tillë, ku pozicionet e rëndësishme në shtet të udhëhiqen nga shqiptarët”, tha tutje Kasami, duke shtuar se marrëveshjet e tyre me kryeministrin, nuk ndërlidhen aspak me dështimet dhe mashtrimet e BDI-së, që në të kaluarën ka bërë ndaj shqiptarëve.
Me Ahmetin bashkë as në opozitë e as në qeveri
Ai thotë se nuk do të dështojë formimi i VLEN dhe nga momenti siç thekson, “jam kryetar i Besës dhe pjesë e VLEN, opinioni nuk ka parë një takim timin me Ali Ahmetin”.
“Opinioni e di qëndrimin tim në këtë aspekt dhe vlerësoj se si që jam i sigurt se VLEN do të vazhdojë dhe do jetë bashkë edhe më i fuqishëm, nuk do të ketë asnjë bashkëpunim timin me BDI-në derisa Ali Ahmeti është kryetar. Bilall Kasami edhe kur ka qenë opozitë edhe kur ka qenë në qeveri, nuk ka qenë bashkë me Ali Ahmetin”, tha ai.




















