Connect with us

Religjion

Ja rruga për ndryshim, për më mirë

Publikuar

Popujt, kohën dhe vitet i llogarisin në mënyra të ndryshme. Megjithatë, pavarësisht se si i llogarisin, viti për të gjithë ka dymbëdhjetë muaj. Kështu duhet të jetë, sepse ky është ligji i Allahut. Zakonisht, në fund të një viti dhe në fillim të tjetrit, bëhet llogaria e asaj që kaloi dhe thurren plane për vitin e ardhshëm, për të ardhmen. Gjatë bërjes së llogarive, synohet të përmirësohet ajo që ka qenë e keqe dhe në planin për vitin pasues të përfshihet, të synohet edhe ky ndryshim.

Edhe pse ne, si besimtarë, jemi të obliguar që çdo ditë të bëjmë llogari me veten dhe të përpiqemi që e nesërmja të jetë më e mirë se e djeshmja; edhe pse ne, si muslimanë, duke e shënuar Vitin e Ri hixhri, flasim për hixhretin tonë personal – e ai është pikërisht kjo që përmendëm: analizimi i së kaluarës dhe ndryshimi i asaj që nuk ka qenë e mirë – megjithatë, duke jetuar në një rreth dhe në një qytetërim që vitet i numëron sipas kalendarit gregorian, nuk është keq që edhe ky kalim nga një vit në tjetrin të shfrytëzohet për vetë-analizë dhe për miratimin e një harte rrugore për vitin që vjen.

Më duket se ajo hartë rruge që do të na çonte drejt suksesit është kjo bisedë e të Dërguarit të Allahut me Ebu Dherin. Në fakt, Ebu Dheri (r.a.), e luti të Dërguarin e Allahut (savs) që ta këshillonte se çfarë të bënte që të ketë sukses në të dy botët në të dy botët, dhe i Dërguari i Allahut e porositi:

Devotshmëria ndaj Allahut, o Ebu Dher, o njeri, ajo është më e rëndësishmja, sepse të nxit për mirësi dhe të ruan nga mëkati. Ajo të bën të vetëdijshëm për praninë e gjithkundndodhshme të Allahut dhe të nxit të bësh mirë sikur ta shohësh Allahun, si dhe të largohesh nga e keqja sikur ta shohësh Atë, sepse e di: njeriu i devotshëm është i tillë që, kudo që të jetë, Allahu e sheh.

Leximi i Kuranit, o Ebu Dher, o njeri, kështu do të kesh një udhërrëfyes këtu (në këtë botë) dhe një dritë atje (në botën tjetër). Duke mësuar dhe lexuar Kuranin do ta forcosh besimin dhe kjo forcë e besimit do të të nxisë që t’i jetosh urdhrat, ndalesat dhe dispozitat kuranore. I Dërguari i Allahut na e porosit me Kuranin, sepse në të është lavdia jonë, por ajo lavdi nuk arrihet vetëm me lexim. Që të jemi të denjë për këtë lavdi, duhet ta jetojmë Kuranin.

I Dërguari i Allahut na porosit edhe për xhihadin, sepse xhihadi është asketizmi ynë, përkushtimi ynë. Feja jonë nuk kërkon që, për t’u afruar tek Allahu, të tërhiqesh dhe ta izolosh veten. Përkundrazi, kërkesa është që të dalësh në shoqëri, të përballesh me problemet, të mos presësh që dikush tjetër të ta sjellë furnizimin dhe të t’i zgjidhë problemet.

I Dërguari i Allahut e porositi Ebu Dherin, dhe përmes tij edhe neve, që ta duam të varfrin dhe të shoqërohemi me të. Mos mendo kurrë, o Ebu Dher, o njeri, se ti nuk mund të bëhesh si ai që sot ka nevojë për ndihmë. Sot ndihmoje atë që ka nevojë, sepse kështu Allahu do të të japë më shumë. Nëse në vitin e ardhshëm dëshirojmë më shumë, atëherë duhet të japim më shumë.

I Dërguari i Allahut na porosit që, në çështjet e kësaj bote, ta shikojmë atë që ka më pak se ne – kështu do të ecim në rrugën drejt kënaqësisë shpirtërore; ndërsa në çështjet e fesë dhe të mirësisë, ta shikojmë atë që është më i mirë se ne – në mënyrë që të garojmë me të në vepra të mira. Mos u mahnit pas pasurisë së tjetrit dhe mos e lakmo atë, por mahnitu me sjelljen e bukur; lakmo moralin e lartë, përpiqu dhe lufto që të jesh më i mirë; atëherë Allahu do të të japë nga kjo botë më shumë sesa që të nevojitet.

I Dërguari i Allahut e porositi Ebu Dherin, edhe neve, që t’i shohim të metat dhe mangësitë tona, sepse kështu nuk do të kemi kohë të merremi me të metat e të tjerëve. Sa e bukur do të ishte dhe sa do të përmirësohej gjendja jonë dhe gjithçka përreth nesh, sikur secili prej nesh ta analizonte veten dhe të punonte për t’i mposhtur të metat e veta.

Dhe mbaje mend, o Ebu Dher, thotë i Dërguari i Allahut: i mençuri mendon dhe merr mësim; i devotshmi përmbahet dhe largohet nga mëkati; ndërsa sjellja e bukur është më e rëndësishme se prejardhja.

O Allahu i Lartësuar, na ndihmo që të ecim në rrugën që na bën më të mirë dhe më të dashur tek Ti! Amin.

Hatib: Izet ef. Čamdžić

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

NA NDIQ NË FACEBOOK