Bota
Irani në protestë, mes propagandës dhe realitetit

Nga Ilirjan Shehu
Shumë nga analizat në lidhje me protestat në Iran duken të gabuara. Nga njëra anë janë ato të shkruajtura nga analistë që thjesht mbështesin cdo ndërhyrje amerikane, qoftë ajo morale apo amorale. Shumë prej tyre kanë mbështetur genocidin në Gaza, por tani papritmas gjetën shpirtin e tyre humanist dhe vendosën të ndihmojnë në sjelljen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Iran. Këta lloj analistësh janë propagandistë, analizat e tyre janë pa vlerë dhe ata nuk duhen dëgjuar fare. Përveç tyre janë edhe gazetat mainstream të cilat më së shumti përhapin lajme të rreme, siç bën për shembull Gazeta Panorama (duke cituar një tabloid britanik) e cila deklaron se “regjimi” ka vrarë 16-18 mijë qytetarë në një javë ndërsa rreth 7-8 mijë kanë humbur shikimin duke u goditur në sy me snajper. Të tilla lajme shkojnë përtej propagandës deri në rangun e marrëzisë duke e trajtuar publikun si një fëmijë që beson gjithçka.
Megjithatë, ka edhe nga ata analistë që me të vërtetë kërkojnë një të ardhme më të mirë për iranianët dhe çdo popull tjetër si çcështje parimore. Shumë vijnë nga e majta, por ka edhe të djathtë. Në SHBA këta të fundit karakterizohen si nonintervencionistë të cilët vënë në plan të parë ekonominë dhe mirëqënien e qytetarëve të vendit të tyre përkundër shpenzimeve në luftëra të cilat duket se pasurojnë vetëm interesa të caktuara. Të dy këto grupe duket se i mbështesin sinqerisht protestat në Iran duke kërkuar mosndërhyrjen e forcave të huaja (SHBA, BE, Izrael) siç ndodhi në Irak, Libi apo Siri. Megjithatë, pika të rëndësishme mungojnë në analizën e tyre dhe një farë naiviteti duket se mbizotëron në to. Sigurisht që gjithkush do të dëshironte që populli iranian të gëzonte më shumë të drejta, më shumë liri, më pak korrupsion si për çdo popull tjetër. Por kjo duhet ndarë qartë nga axhendat e propagandistëve të cilët, siç historia ka treguar, nuk synojnë aspak një Iran të lirë e të begatë ekonomikisht.
Të analizosh protestat iraniane pa analizuar fare pse filluan, tregtarë që kritikon inflacionin e monedhës dhe kërkonin nga shteti masa mbështetëse, do të thotë t’i shkëpusësh këto protesta nga konteksti. Shprehja “është ekonomia o budalla” e shpikur nga strategjisti i zgjedhjeve James Carville është shumë reale. Por në rastin e Iranit të thuash se problemi është ekonomia nuk do të thotë të përfshish vetëm keqmenaxhim apo korrupsion qeveritar siç ndodh në shumicën e vendeve të tjera, por të marësh në konsideratë në radhë të parë edhe sanksionet ekonomike të gjithanshme të vendosura kryesisht nga SHBA dhe BE. Irani është ndoshta vendi më i sanksionuar në botë përveç Rusisë me sanksione që ndalojnë eksportimin e produkteve natyrore dhe të prodhuara, importimin e mallrave nga jashtë sidomos ato industriale dhe përdorimin e sistemeve bankare dhe të dollarit amerikan (apo edhe të euros) në tregëtinë e jashtme. Mund të thuhet pa frikë se një Iran i cili nuk do të vuante nga këto sanksione do të kishte një ekonomi krejt ndryshe. Gabimisht shpesh herë mendohet se sanksionet ekonomike drejtohen ndaj udhëheqjes. Kjo është krejt e pasaktë. Sanksionet ekonomike janë pjesë e përpjekjeve për “regime change” me anë të të cilave qëllimi është të krijohen vështirësi ekonomike për qytetarët që do t’i nxitnin këta të fundit të kërkonin rrëzimin e qeverisë. Edhe pse historia, të paktën sa i përket Lindjes së Mesme ka teguar të kundërtën, mendimi i atyre që vendosin sanksione ëshë se qytetarë të kënaqur ekonomikisht nuk kanë arsye të forta qofshin edhe politike të ngrihen kundër qeverive të tyre, ndaj duhen përdorur sanksionet për t’i varfëruar ata. Në realitet (për shkaqe që janë përtej këtij artikulli për t’i shpjeguar) kjo strategji nuk ka funksionuar asnjëhere as në Irak, Libi apo Siri pa ndërhyrjen e drejtë për drejtë të forcave të huaja.
Në rastin e Iranit shpresa ka qenë dhe është që përveç sanksioneve ekonomike të shfrytëzohen dhe ndarjet e brendshme etnike dhe ideologjike të vendit. Forca të ndryshme anti-qeveritare nga të cilat një grup është prezent edhe ne Shqipëri financohen nga vendet perëndimore me qëllimin e vetëm që të përdoren për ndryshim regjimi. Përveç këtyre lëvizje nacionaliste etnike brenda Iranit, si p.sh. në pjesën e Baluchistanit, nxiten që të kërkojnë ndarje nga Irani. Kjo teknikë është një nga mënyrat kryesore të përdoruara nga britanikët gjatë periudhës së kolonizimit për të mundësuar sundimin e tyre. Kurdët janë një shembull i qartë i kësaj strategjie edhe sot. Një strategji e tretë është dhe ndërhyrja direkte me anë të shërbimeve inteligjente. Në fakt u pa qartë gjatë luftës 12-ditore një vit më parë mes Iranit në një anë dhe SHBA dhe Izraelit në tjetrën se si Izraeli kishte depërtuar në Iran me sasi armësh të vendosura brenda vendit dhe dronë. Gjithashtu u pa se këto shërbime mund të arrinin deri tek zyrtarët më të lartë të vendit dhe të bënin dekapitimin e tyre. Nga të dhënat nga Irani duket qartë që një pjesë e protestave ishin të dhunshme duke djegur dyqane, autobuzë e automjete, duke sulmuar dhe vrarë policë, madje duke djegur një xhami, gjë e cila tregon se grupe të caktuara u aktivizuan brenda Iranit. Përdorimi i bandave dhe grupeve të gangsterëve është pikërisht mënyra se si CIA dhe shërbimet britanike arritën përmbysjen e kryeministrit të zgjedhur në mënyre demokratike Muhammad Mossadegh dhe instalimin e regjimit brutal Pahlavit.
Dhe këtu vihet në pah naiviteti i atyre të cilët kërkojnë të drejta e prosperitet për popullin iranian qoftë edhe sinqerisht por e bëjnë këtë duke akuzuar vetëm qeverinë e Iranit për shtypje me dhunë të protestave.
Të majtët nga këta mendojnë se këto protesta do të sjellin një qeveri të krahut të majtë në Iran pasi edhe në përmbysjen e shah Reza Pahlavit në 1979-ën kishte shume protestues që morën pjesë në protesta të cilët kërkonin një sistem demokratik. Asnjë e dhënë nuk tregon që diçka e tillë mund të ndodhë sot në Iran. Në fakt duket se shumë iranianë anti-qeveritarë brenda dhe jashtë Iranit janë të djathtë anti-demokratë të cilët do të ri-instalonin një diktaturë të djathtë si ajo e Shahut apo dhe e Sisit në Egjipt duke shtypur çdo opozitë sidomos një opozitë fetare/konservative. Ky lloj naiviteti të thotë të bëhesh një mjet i imperialistëve, gjë që të majtët e kanë bërë vazhdimisht në rajon.
Sa për të djathtët, non-intervencionistë naiviteti i tyre qëndron në moskuptimin se kush e influencon në të vërtetë politikën Amerikane në Lindjen e Mesme siç janë interesat e naftës dhe ato të lidhura me Izraelin. Kjo do të thotë që këto interesa, sidomos kur janë në pushtet (siç ndodhte gjatë kohës së administratës Bush dhe tani me Trump), do të bëjnë gjithcka për të arritur qëllimet e tyre. Grupi i vetëm i djathtë i cili i sheh ndërhyrjet në Lindjen e Mesme si kundër interesave amerikane dhe vetëm në shërbim të Izraelit është ai i përfaqësuar nga figura mediatike e politike të djathta si Tucker Carlson, Candace Owens apo edhe Charlie Kirk (i vrarë nga një goditje me snajper verën e kaluar) të cilët patën një zgjim gjatë dy viteve genocid në Gaza. Këta zëra përfaqësojnë sidomos rininë e djathtë të cilët dëshirojnë që SHBA të marrë vendime autonome dhe kërkojnë nga presidenti Trump që të zbatojë premtimet e tij për dhënien fund të luftërave në Lindjen e Mesme.
Së fundmi dy fjalë edhë për ata që duket se të influencuar nga propaganda e vazhdueshme e shohin Iranin vetëm si një vend diktatorial, teokratik e të prapambetur i cili ka nevojë për këto ndërhyrje. Këta nuk dinë ose harrojnë që Irani është një vend me një popullsi mbi 90 milionë banorë dhe një territor mbi 1.6 milion kilometra katrorë, me burime të shumta ekonomike, një popullatë të edukuar dhe një kulturë të vjetër. Megjithëse kushtet ekonomike në Iran janë përkeqësuar (si kudo tjetër), ku krizës botërore ekonomike i shtohen edhe dekadat e sanksioneve dhe izolimit, iranianët në përgjithësi janë ende shumë të krahasueshëm ekonomikisht me popujt e balkanit, turqit e të tjerë të ngjashëm të cilët jo vetëm nuk kanë vuajtur sanksione por kanë patur edhe ndihma të mëdha ekonomike si në rastin e shqiptarëve. Iranianët janë shumë më mirë ekonomikisht se irakianët, sirianët, libanezët dhe shumë të tjerë në rajon. Ata kanë parë dhe dinë mirë se çfarë kanë vuajtur popuj të tjerë në rajon, si p.sh. ai libian që humbi jo vetëm mirëqënien ekonomike por edhe sovranitetin politik. Dhe ndërsa Irani nuk është një demokraci e tipit perëndimor, vendi ka shumë më tepër liri zgjedhjesh, shtypi dhe opinioni se ç’ka për shembull në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe ose Egjipt. Kjo është e rëndësishme për tu theksuar ndërsa në këto dy vite në perëndim u panë qartë limitet e demokracisë kur është fjala për gjenocidin në Palestinë e ndërsa të drejtat e qytetarëve dhe liria e shtypit janë në rënie të vazhdueshme në BE dhe SHBA.
Përveç kësaj, nuk duhet harruar edhe fakti i padiskutueshëm se megjithëse shumë nga shtetet kryesore perëndimore ndërsa kanë regjime demokratike të brendshme në vetem dy dekadat e fundit kanë vrarë direkt me pushtime, ndërhyrje ushtarake, sulme të shërbimeve inteligjente apo sanksione në vrasjen e miliona njerëzve të pafajshëm jo vetëm në Lindjen e Mesme por dhe në Afrikë e Amerikën Latine.
Këto janë pika të rëndësishme për t’u mbajtur mend dhe për tu diskutuar. Pa këto një analizë për situatën në Iran, sidomos për ata të cilët dëshirojnë vërtet një të ardhme më të mirë për popullin iranian si dhe cdo popull tjetër, kthehet në një formë propaganda edhe kur qëllimi mund të jetë i mirë.






















