Lajme
Drejtësi e re, sëmundje të vjetra

Drejtësia e re lindi si premtim mesianik. Sot ngjan me një repart kozmetik për një sistem të kalbur. Për qytetarin, ligji është peshore; për pushtetin, ai është llastik. Realiteti na përplas fytyrës të njëjtën sëmundje: standardin e dyfishtë.
Kodi Penal shërben si libër lutjesh për të varfërit dhe si menu dëshirash për të fortët. Dosja “Meta” është kryevepra e këtij teatri. SPAK dhe GJKKO mbajnë të veshur rrobën e rëndë të ligjit, por poshtë saj fshehin “nallanet” e vjetra të nënshtrimit.
Seancat shtyhen me lehtësi pushimesh verore. Një herë mungon avokati, një herë tjetër ligji duhet të presë radhën e audiencës televizive. Mendoni pak për një qytetar që vjedh për mbijetesë. Sikur ai të kërkonte shtyrje gjyqi për shkak të orarit të punës apo telenovelës që do të ndjekë pasditeve, do të përfundonte në qeli brenda orës.
Për të varfrit, ligji nuk ka veshë që dëgjojnë, por vetëm pranga. Por kur vjen puna për VIP-at, si në rastin e Monika Kryemadhit, gjykata heq rrobën e ligjit dhe vesh përparësen e shërbëtores.
Kalendari juridik rregullohet sipas tekave të “Big Brother”. Kjo “zemërgjerësi” nuk është humanizëm, por frikë gjenetike. Është prova se sistemi ka dy fytyra: një prej guri për të pamundurit dhe një prej plasteline për ish-pushtetarët.
Mesazhi është i qartë: fati yt nuk varet nga krimi, por nga numri i ndjekësve në rrjetet sociale. Salla e gjyqit është kthyer në një studio televizive, ku e vërteta vdes sapo ndizen dritat e skenës. Shpresa po shuhet. Kushtetuta ka rënë përballë parukierëve dhe reality show-ve.
Në këtë teatër me dekor të lyer me nxitim, qytetari i thjeshtë vetëm paguan biletën. Të fortët luajnë falas dhe na diktojnë kur duhet të qeshim. Drejtësia e re mund të ketë emër të ri, por era që vjen nga salla e gjyqit mbetet ajo e mykut të vjetër të privilegjit.


















