Bota
Biologjia kundër politikës: udhëheqësit që kërkojnë pushtet deri në vdekje…

Lajmi që vjen nga Uganda, ku presidenti Joueri Museveni po kërkon mandatin e tij të shtatë në moshën 81-vjeçare, është një pasqyrë trishtuese e autokracive moderne. Museveni, i cili erdhi në pushtet në vitin 1986 si një shpresë për stabilitet pas diktaturës së Idi Aminit, është shndërruar sot në simbolin e liderit që nuk njeh kufi kohor.
Duke ndryshuar Kushtetutën për të hequr kufizimet e moshës dhe të mandateve, ai ka asgjësuar rrotacionin demokratik, duke e kthyer shtetin në një pronë private të familjes së tij. Sot, Uganda përballet me një proces zgjedhor që vëzhguesit ndërkombëtarë e konsiderojnë farsë.
Rivali i tij, muzikanti 43-vjeçar Bobi Uine, përfaqëson energjinë e rinisë që kërkon ndryshim, por ai detyrohet të bëjë fushatë me jelek anti-plumb dhe helmetë, nën kërcënimin e vazhdueshëm të eliminimit fizik.
Arrestimet e mbështetësve të opozitës, dhuna policore dhe mbyllja e internetit për të kontrolluar informacionin janë mjetet me të cilat Museveni mbron karrigen e tij, duke treguar se pushteti i gjatë korrupton jo vetëm moralin, por edhe vizionin për të ardhmen e një kombi.
Dukuria e “pushtetit deri në vdekje” nuk është e panjohur për vendet ish-komuniste, përfshirë Shqipërinë. Edhe pse në kontekste të ndryshme gjeografike, mentaliteti i liderit “të pazëvendësueshëm” është i njëjtë.
Në këto shoqëri, ku tranzicioni drejt demokracisë mbeti i gjymtuar, liderët politikë shpesh e shohin humbjen e pushtetit si fundin e ekzistencës së tyre politike dhe fizike. Mania për të qëndruar në krye të partive apo shtetit për dekada me radhë, ushqehet nga një kulturë autoritare që mbijetoi edhe pas rënies së mureve ideologjike.
Rasti i Sali Berishës në Shqipëri është ilustrimi më tipik i kësaj manie. Që nga viti 1990, ai ka qenë figura qendrore që ka dominuar skenën politike, duke kaluar nga postet e presidentit dhe kryeministrit tek ai i liderit të opozitës, pa pranuar kurrë një pensionim politik të vërtetë.
Ashtu si Museveni, që e sheh veten si shpëtimtarin e vetëm të Ugandës, edhe Berisha ka ndërtuar një narrativë ku fati i tij personal identifikohet me fatin e partisë dhe të vendit.
Edhe pas tri dekadash, kur brezat kanë ndryshuar dhe bota ka evoluar, ai mbetet i kapur pas frenave të pushtetit politik, duke penguar qarkullimin e elitave dhe frymën e re brenda opozitës. Kjo nevojë obsesive për të qenë “i përjetshëm”, i dëmton rëndë proceset demokratike.
Kur udhëheqësit refuzojnë të largohen, ata bllokojnë rritjen e liderëve të rinj, siç është rasti i Bobi Uine në Ugandë dhe i shumë demokratëve në Shqipëri, dhe e kthejnë politikën në një fushëbetejë personale.
Në vendet ish-komuniste, kjo sindromë ka krijuar një ngërç ku e vjetra nuk lejon të renë të lindë, duke e lënë shoqërinë peng të inateve dhe ambicieve të individëve që e shohin politikën jo si shërbim, por si një mandat jetësor që përfundon vetëm me mbylljen e syve dhe largimin nga kjo botë…





















