Connect with us

Lajme

Arratisja ‘spektaklore’ e të burgosurit në Durrës, Ndocin e priste ‘Audi’ e bardhë në parkimin e spitalit, si u iku nga duart efektivëve

Publikuar

Një prej emrave më të rrezikshëm të botës së krimit në Shqipëri, Altin Ndoci, realizoi një arratisje spektakolare nga Spitali Infektiv i Durrësit, ku ishte dërguar për të marrë ndihmë mjekësore nën masa të rrepta sigurie.

I shoqëruar nga qelia e burgut të Durrësit drejt spitalit për shkak të një problemi shëndetësor, në rrethana ende të paqarta, Ndoci ka mundur t’u shpëtojë forcave të rendit dhe të “çajë ferrën”.

“Paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore. Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit.

Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali. Strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në deklaratën e Policisë së Burgjeve.

Altin Ndoci mbahej në paraburgim që prej muajit maj 2020 me urdhër të SPAK, i akuzuar për një sërë vrasjesh të bujshme që tronditën Durrësin. Ai akuzohet si pjesë e grupit kriminal “Çopja” dhe njihet si organizator i disa atentateve mafioze me jo pak vitima.

Emri i tij lidhet me ekzekutimin e Anxhelo Avdisë dhe Dorjan Shkozës më 2 mars 2020, si dhe me vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia më 27 prill të po atij viti.

Më herët, që në vitin 2015 ai ishte arrestuar për një sërë veprash penale, përfshirë mbajtjen pa leje të armëve luftarake, mosbindjen ndaj policisë, sigurimin e mjeteve për vjedhje dhe vjedhjen, por kishte arritur të përfitonte lirinë përmes manovrave ligjore. Më vonë, ai u arrestua sërish gjatë operacionit të bujshëm “Plumbi i Artë”, ku SPAK e akuzoi për katër vrasje, bazuar kryesisht në dëshminë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Klevis Alla.

Pas katër vitesh hetime, të gjitha këto akuza ranë, pasi vetë prokuroria u bind se deklarimet e Allës nuk qëndronin. Alla u shpall gënjeshtar, humbi statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe u dënua me 25 vite burg. Në prill 2024, Altin Ndoci fitoi pafajësinë për këto akuza, por liria e tij mbeti vetëm formale.

SPAK ngriti menjëherë akuza të reja, këtë herë të mbështetura në dëshminë e një tjetër bashkëpunëtori të drejtësisë, Nuredin Dumani. Në një dosje tjetër, Ndoci akuzohet si pjesëmarrës në vrasjen e Andi Zylyfit dhe plagosjen e Ardit Uruçit, si dhe për mbajtje dhe prodhim pa leje të armëve dhe municioneve, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Nga ana tjetër, Altin Ndoci ka qenë vetë objektiv për eliminim fizik. Bashkëpunëtori i drejtësisë, Erion Alibej, ka zbardhur më herët planet për ta hequr qafe. Sipas Alibejt, Ndoci ishte futur në “rreth të kuq”, pasi konsiderohej një nga atentatorët që kishte marrë pjesë në vrasjen e vëllait të tij në vitin 2018.

NA NDIQ NË FACEBOOK