Connect with us

Lajme

Aliu: Pa infrastrukturë zona e Vizbegut gjeneron mbi 700 milionë euro në vit

Publikuar

më

Zona industriale e Vizbegut ka një qarkullim vjetor mbi 700 milionë euro, mbi 7 mijë të punësuar dhe një profit prej rreth 35 milionë eurosh në vit, i cili riinvestohet sërish brenda Maqedonisë së Veriut. Këto të dhëna i bëri të ditura kryetari i OEMVP-së, Nuhi Aliu, gjatë një paraqitjeje në emisionin Biznes Plus.

Sipas Aliut, Vizbegu merr pjesë me 7.5 për qind në Bruto Prodhimin Vendor, një shifër që ai e cilësoi si jashtëzakonisht të lartë, duke e renditur këtë zonë ndër kontribuuesit kryesorë në ekonominë e vendit. Ai theksoi se ndryshe nga zona industriale e Bunarxhikut, ku profiti shpesh del jashtë vendit, në Vizbeg fitimet riinvestohen në Maqedoni, përcjell Zyrtare.

“Vizbegu është një zonë industriale në rritje të vazhdueshme, por nëse do t’i kishte kushtet e njëjta si Bunarxhiku dhe zonat e tjera, ku infrastruktura garantohet nga shteti dhe ofrohen benefite gjatë ndërtimit apo lehtësime si mos-pagesa e kontributeve për pesë vite, rezultatet do të ishin edhe më të mëdha”, u shpreh Aliu.

Ai shtoi se, pavarësisht mungesës së këtyre lehtësive, zona industriale e Vizbegut kontribuon më së shumti në mbushjen e buxhetit të shtetit dhe kërkoi që institucionet shtetërore t’i marrin seriozisht parasysh këto fakte në politikat e ardhshme ekonomike./Zyrtare.net/

NA NDIQ NË FACEBOOK