Lajme
Ademi: Kur thamë JO për “Safe City, Dafina trillon duke menduar se të gjithë janë VREDI

Shpifjet për “Safe City” janë përpjekje për të mbuluar boshtin VMRO-VREDI-Levica
Sekretari i përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, ka reaguar ashpër ndaj, siç i cilëson ai, shpifjeve dhe trillimeve që u shfaqën në opinion publik pas qëndrimit të BDI-së kundër projektit “Safe City” në formën e propozuar nga pushteti.
Sipas Ademit, në momentin kur BDI tha “JO” për këtë projekt, u aktivizua “refleksi i njohur i pushtetit”, duke zëvendësuar argumentet me shpifje dhe përgjigjet me trillime. Ai akuzon përfaqësuesen e VMRO-DPMNE-së, Dafina, se doli publikisht duke fabrikuar pretendime për “takime” dhe “oferta”, duke e shndërruar, siç thotë ai, shtetin në teatër dhe Kuvendin në skenë improvizimesh politike.
“Kur mungojnë faktet, shpiken dialogë; kur s’ka përgjigje, prodhohet tym”, thekson Ademi, duke sqaruar se nuk ka pasur asnjë takim mes kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, dhe përfaqësueses së VMRO-DPMNE-së, e aq më pak pazare për hyrje në Qeveri.
“Ta sqarojmë pa ekuivok: Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, nuk ka pasur asnjë takim me të dhe nuk ka pasur kurrë pazare për hyrje në Qeveri. Kaq. Ne nuk jemi VREDI dhe ajo e di mirë këtë”, thekson Ademi.
Sipas tij, e gjithë zhurma mediatike ka një qëllim të qartë politik: të mbulojë realitetin që po konsolidohet në skenën politike, atë që ai e quan boshti VMRO-VREDI-Levica. Ademi vlerëson se po ndërtohet një alibi për të justifikuar një pushtet pa legjitimitet, i mbështetur nga, siç shprehet ai, servilizmi i atyre që qëndrojnë në pushtet me çdo kusht, edhe kur nuk përfaqësojnë askënd përveç interesave personale.
“Kur një koalicion nuk ka legjitimitet, i rritet propaganda. Kur mungon drejtësia, shtohet shpifja”, përfundon reagimin e tij sekretari i përgjithshëm i BDI-së.
















