Lajme
Zgjedhjet në Kosovë, Bushati “bën copa” Ramën

Në një shkrim pas zgjedhjeve në Kosovë dhe fitores së sërishme të Albin Kurtit, ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka përcjellë, mes rreshtash, kritika të forta për ish-eprorin e tij politik Edi Rama.
“Pa para lumë, pa luks, pa koncerte që i paraprijnë tubimeve, pa artistë që performojnë muzikë tallava nëpër tribuna politike (edhe pse kanë artisët më të ndjekur nga të rinjtë), por me tubime politike të ngjashme për nga serioziteti me vendet e botës demokratike, Kosova po ndrin si rast shprese në rajon”, shkruan Bushati, në një shkrim të titulluar “Kosova si burim shprese”.
Sipas tij, zgjedhjet në Kosovë, duhet të jenë një leksion demokracie për Shqipërinë.
“Kriza e tejgjatur me konstituimin e institicioneve të reja u zgjidh përmes rrugëve politike dhe kërkimit të legjitimitetit demokratik, dhe jo rishkrimit të njëanshëm të rregullave të lojës demokratike. Pushteti nuk tentoi joshjen e deputetëve nga radhët e partive opozitare për të krijuar koalicionin e nevojshëm qeverisës. Pushteti nuk iu imponua opozitës me kandiatë të importuar prej saj për asnjë prej institucioneve që burojnë prej Kuvendit. Pushteti nuk synoi për asnjë çast barazimin e politikës me tregun e gjësë së gjallë”, shkruan më tej Bushati, tashmë në Harvard me studime.
Për ish-këtë politikan të lartë socialist të mënjanuar nga Rama, Shqipëria ka nevojë për një reformë të thellë, ku në krye të jetë sistemi zgjedhor, për të ringjallur shpresën te zgjedhjet e më gjerë akoma.
“Për të jetësuar këtë reformë politke, na duhet të të kujtojmë përkufizimin fisnik të shpresës nga Vaclav Havel. Shpresa, thoshte ai, është ‘një orientim i shpirtit, një orientim i zemrës’. Është ‘një aftësi për të punuar për diçka sepse është e mirë, jo vetëm sepse ka një shans për të pasur sukses. Nuk është bindja se diçka do të dalë mirë, por siguria se diçka ka kuptim, pavarësisht se si rezulton’”.



















