Lajme
Të lexosh shtetin e Ramës në gjashtë ditët pa ujë të Vlorës: do qeshte me të Mehmet Shehu e Adil Çarçani!

Vlora sapo mbylli një prej kapitujve që duhet të futen në histori si gjashtë ditët që lakuriqësuan shtetin shqiptar; treguan ashiqare se sa fals është shtetndërtim i pretenduar i Ramës, se ende ky vend vijon me sëmundjet kronike që prej shtetformimit që ai që qeveris u përbetua t’ja shëronte, por që ia ka përkeqësuar edhe më si plagë, duke ia thelluar e qelbëzuar më tej.
E nis Rama urimin e fundivitit për shqiptarët jo me përditshmërinë e tyre(plot shfrime e mllefe ndaj politikës e shtetit), jo me shijen (e pa shije)të jetës në 24 orë, jo me raportin (e shprishur keq) mes shtetit dhe shtetasve, (me një hendek edhe më të thelluar mes tyre), jo me shpresën(e çuar në koma) si gjakim kryesor i jetës, jo me moralin shoqëror(gjithnjë e më të degraduar), jo me moralin qeverisës(gjithnjë e më të munguar), por, çuditërisht dhe jo çuditërisht, me samite europiane në Tiranë(!!!). Dhe pas këtij devijimi të thelbit qeverisës, që ka brenda dhe një pabesi ndaj popullit, e vetmja gjë që meriton t’i thuhet është: E kujt i plasi!
Sepse dhe ai vetë e di se nuk i plas kujt për ato lloj samite, më shumë përmbushje e ekzigjencave të tij egocentrike se sa një erë e re mbi këtë popull, në atë që ka vuajtur e vuan: paskrupullsinë dhe paaftësinë e qveritarëve të vet.
Dhe kthehemi te Vlora, te kriza e ujit në gjashtë ditë. Si duhet lexuar? Thjesht si një defekt teknik jashtë fuqive të qeverisë? Jo! Si një defekt që grisi e nxorri të vërtetën lakuriqe të një shteti prej lecke, që dhe ai i djeshmi komunist do qeshte me të. Sepse në fakt ky lloj paradoksi po ndodh me Ramën: siç është përtallur me pararendës në kritikat e tij acide alla Konicë apo alla Nol, të tjerë po tallen me të afërsisht me gjuhën e tij. Pra, Edi Rama i sotëm po prodhon Edi Rama të djeshëm, ku vetë ai po të qe në opozitë do e bënte helaq këtë qeverisje dhe nga gjuha e tij do kishim spektakle përtallëse ndaj saj. Kjo është e sigurt. Kjo e keqe e ka gjetur, ky boomerang po e mundon. Këtë tregoi dhe Vlora në gjashtë ditë pa ujë. Sepse vjen pyetja më e thjeshtë: Si ka mundësi që Shqipëria nuk prodhon dot atë mbrokull mekanike filetuese që duhej të vinte me patjetër nga Turqia?!
Nuk ishte një fjalë e fundit shkence, nuk ishte raketë; ishte një agregat që rëndom duhet të gjendej në magazina ujësjellësi, ose ose, të gatitej në pak orë në bazën mekanike të Agjencisë së Ujërave dhe Kanalizimeve. Po po, baza mekanike, si dje në atë sistemin tjetër, ku hiqja linjën ideologjike, ishte një shtet me logjikë e kësisoj shumë më i avancuar se e sotmi, pikërisht ai shteti i Mehmet Shehut dhe i Adil Çarçanit.
Çdo ndërmarrje në atë kohë kishte bazën e vetë mekanike, e cila i përgjigjej çdo lloj emergjence, pra çdo devijimi nga ecuria normale. Një qytet, aq më tepër një si Vlora, duhej pranuar të rrinte gjashtë orë pa ujë e jo gjashtë ditë. Pa ujë gjashtë ditë ndodh vetëm në kushte lufte. Dhe nëse do ishte luftë, shtetit i Ramës do ishte dorëzuar për gjashtë orë, pra ky shtet në NATO e që aspiron BE-në. O pika…! Vetëm nëse, siç ndodhi me tubin, ndihma nuk do kishte ardhur nga Turqia.
Pra, te ai tub ishte vetë shteti, i katandisur për turp të Zotit, ku dhe në është bërë diç, ajo që nuk është bërë ose është bërë keq prevalon mbi të bërën. Dhe ky është leximi për të gjithë qeverisjen e Ramës, në të gjithë dimensionet e saj, ku e mbapshta është aq e madhe në një anë të peshores, sa ato pak të mbara në anën tjetër ngjajnë pupël të lehta.
Ne vijojmë “t’u falemi” atyre që nuk janë prej nesh, atyre që janë dhuratë e Zotit, ku ne thjesht abuzojmë me to, hem me cenet e rënda morale e hem me paaftësinë.
Rama, edhe sikur moralisht mos çedonte, do mjaftonte paaftësia e të bërit shtet, sado ka klithur se do e bënte, për ta rreshtuar te të dështuarit emblematikë që ushqeu më shumë se askush tjetër pezmin shoqëror se ky vend vërtet nuk bëhet.
U vërtetua kjo në Vlorë, në gjashtë ditë, me një tub uji!
P.S. E megjithatë, sërish Rama ka fatin me vete që quhet jo thjesht Turqi. Po sikur defekti të kish ndodhur në verë, në kohë sezoni?!





















