Lajme
Strugë: Komuna nis hapat për zgjidhjen urgjente të problemit me qentë endacakë

Në kabinetin e Kryetarit të Komunës së Strugës u zhvillua sot një takim pune me përfaqësues të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, ndërmarrjes publike “Komunale” – Strugë dhe Sektorit për Mbikëqyrje Inspeksionale. Qëllimi kryesor i takimit ishte diskutimi i masave të menjëhershme për trajtimin e çështjes së qenve endacakë në qytet.
Gjatë takimit, palët dakordësuan se zgjidhja më efikase dhe afatgjatë është ndërtimi i një strehimoreje moderne, e cila do të sigurojë trajtim të duhur dhe human për kafshët, si dhe një mjedis më të sigurt për banorët.
Komuna e Strugës theksoi se mbetet e përkushtuar për të ndërmarrë hapa konkretë dhe të koordinuar, me qëllim që problemi të zgjidhet përfundimisht dhe në mënyrë të përgjegjshme, në dobi të qytetarëve dhe të mirëqenies së kafshëve./Zyrtare.net/
















