Religjion
Një mësim i madh për durimin – Ejubi a.s.

Ejubi, alejhi selam, ishte një nga profetët e Allahut dhe pasardhës i Ibrahimit, alejhi selam. Ai jetoi në zonën e Besnijes, mes Damaskut dhe Ezra’atit (Haurani i sotëm). Sipas transmetimeve, ai jetoi mes kohës së Jusufit dhe Musait, alejhimus-selam, ndërsa disa thonë se ishte bashkëkohës i Jakubit, alejhi selam.
Thirrja e tij ishte teuhidi dhe përmirësimi i marrëdhënieve mes njerëzve. Sa herë që kishte nevojë, binte në sexhde dhe i lutej Allahut me përulësi.
Ejubi kishte pasuri të madhe: bagëti, toka, shërbëtorë dhe punëtorë, por megjithatë ishte rob i sinqertë dhe i përkushtuar në adhurim. Allahu e përmend ndër profetët të cilëve u zbriti shpallja:
“Ne të shpallëm ty ashtu siç i shpallëm Nuhut dhe profetëve pas tij… edhe Ejubit…”
(En-Nisa, 163)
Dhe po ashtu:
“…Davutit, Sulejmanit, Ejubit, Jusufit, Musait dhe Harunit…”
(El-En’am, 84)
Kur’ani nuk ndalet gjatë te populli i tij, por thekson durimin e tij të jashtëzakonshëm në sprovë. Pas trembëdhjetë vitesh sëmundjeje të rëndë, ai iu drejtua Allahut me një lutje plot përulësi:
“Mua më ka goditur fatkeqësia, e Ti je më i Mëshirshmi i mëshiruesve.”
(El-Enbija, 83)
Kjo lutje nuk ishte ankesë, por dorëzim i plotë ndaj Allahut, kur njeriu humb shpresën te njerëzit, mjekët dhe shkaqet, dhe mbështetet vetëm te Zoti i botëve.
Pranë tij qëndroi vetëm bashkëshortja e tij e devotshme. Ajo punonte nëpër shtëpitë e njerëzve për ta ushqyer, madje shiti edhe një gërshet të flokëve të saj për të siguruar ushqim. Kur Ejubi e pa këtë, zemra iu mbush me dhimbje dhe ai e përsëriti lutjen e tij. Atëherë Allahu thotë:
“Ne iu përgjigjëm atij, ia larguam mjerimin që kishte …”
(El-Enbija, 84)
Allahu ia ktheu shëndetin, familjen dhe pasurinë, madje edhe më shumë:
“…dhe ia kthyem familjen të dyfishuar në numër. (Këtë e bëmë) nga mëshira Jonë dhe që të jetë përkujtesë për ata që Na adhurojnë
(El-Enbija, 84)
Në suren Sad përmendet se sprova ishte edhe nga nxitjet e shejtanit:
Kujtoje robin Tonë Ejubin, kur iu lut Zotit të vet: “Me të vërtetë, më ka goditur djalli me mundim dhe vuajtje!” (Sad, 41)
Allahu i urdhëroi:
“Bjeri me këmbë tokës dhe aty do të dalë një burim me ujë të ftohtë për larje dhe pirje!”
(Sad, 42)
Dhe Allahu e lavdëroi duke thënë:
Ne e gjetëm atë të durueshëm, rob të mrekullueshëm. Ai kthehej vazhdimisht me pendesë tek Zoti. (Sad, 44)
Ejubi, alejhi selam, vdiq pas një jete të gjatë, rreth 93 vjeç, si shembull i durimit, besimit dhe mbështetjes së plotë në Allahun.
Mesazhi:
Kush duron për hir të Allahut, Allahu nuk e lë vetëm. Pas çdo sprove vjen lehtësimi, dhe pas durimit – shpërblimi dhe nderi.























