OP / ED
Një lideri karizmatik si Albin Kurti mund t’i bëjë ballë vetëm koha

Shkruan: Ridvan Azizi
Një lideri karizmatik si Albin Kurti mund t’i bëjë ballë vetëm koha. Njerëzit, mes tjerash, kanë kërkesa dhe veprime iracionale; prandaj edhe votojnë për liderë të fortë, të cilët nuk u flasin vetëm arsyes, por edhe dëshirave dhe emocioneve të tyre.
Albin Kurti do të bjerë vetëm kur shqiptarët të çmagjepsen prej tij. Në fakt, kjo çmagjepsjeje filloj në zgjedhjet e kaluara, kur Albini ra nga 51% në 42%. Por, falë opozitës që nuk e kuptoi se krizat zakonisht vetëm i forcojnë liderët si Albini, nuk u la që koha ta konsumonte atë; përkundrazi, u përpoqën ta rrëzonin para kohe.
Shqiptarët ishin të magjepsur nga Albini si opozitar, ndërsa qeverisja ishte prova nëse Albini kryeministër është po aq madhështor sa Albini opozitar.
Ai ndoshta nuk mund ta realizojë bashkimin kombëtar, por mund të jetësojë një tjetër mision shekullor të shqiptarëve, siç është “bashkimi i Mitrovicës”. Prandaj, opozita nuk duhet ta nxisë rënien e tij duke krijuar kriza, por duke krijuar mundësi që Albini të dështojë në fusha konkrete. Çmagjepsja nga Albini do të ndodhë vetëm atëherë kur të kuptohet se ai nuk mund të bëjë mrekullira, gjegjësisht nuk mund t’i bëjë gjërat as aq shpejt dhe as aq mirë sa pretendon.






















