Religjion
NË KOHËN E HALIFËVE TË DREJTË – THESARI I SHTETIT I PËRKISTE POPULLIT, KURSE SOT U PËRKET UDHËHEQËSVE TIRANË TË BOTËS ISLAME

Ndoshta shumë njerëz mendojnë se pushteti fetar (islamik) na jep udhëzime të qarta rreth synimeve dhe metodave të tij, bazuar në atë që shohim dhe dëgjojmë në disa vende e disa shtete muslimane. Arsyeja e kësaj bindjeje është fakti se këto vende muslimane janë të vetmet që, për shembull, zbatojnë ndëshkimin e sheriatit për vjedhje, rrahin me kamxhik ata që bëjnë amoralitet dhe kryejnë ndëshkime të tjera të parashikuara nga Sheriati. Kjo krijon përshtypjen se këto pushtete muslimane kanë qëndruar të vendosura në zbatimin e këtyre ligjeve në një kohë kur bota i ka refuzuar ato dhe është larguar me forcë prej tyre.
Ne nuk mohojmë se hududët (ndëshkimet e sheriatit) janë pjesë e pandashme e Islamit, por na habit dhe na shqetëson fakti kur këto paraqiten si tërë Islami.
Ne dëshirojmë që ndëshkimet e sheriatit të zbatohen për t’i ruajtur të drejtat, për ta forcuar sigurinë dhe për t’i mbrojtur vlerat morale, por jo që ato të zbatohen vetëm mbi një hajdut të varfër që ka vjedhur disa monedha, ndërsa të anashkalohen, madje as të mos shqyrtohet zbatimi i tyre, ndaj atyre që vjedhin pasuri të mëdha nga thesari i shtetit dhe nga pasuritë e popullit.
Disa vende muslimane renditen ndër më të varfrat e botës kur shihet standardi i jetesës së qytetarëve të tyre; të tjera vuajnë nga prapambetja serioze pothuajse në çdo fushë të jetës; kurse të tjerat janë plot me pasanikë me “duar të gjata” (në vjedhje) dhe me ndërgjegje të prishura.
Shumë vende jomuslimane janë më të drejta në qeverisje, kanë vetëdije më të zhvilluar dhe një standard jete më të lartë se këto vende muslimane.
Si mund të mendohet atëherë se kaosi, padrejtësia dhe tirania që mbizotërojnë në disa vende muslimane përfaqësojnë pushtetin islam?! Kjo është, në të vërtetë, një shoqëri e ndërtuar mbi dy shtresa: sundues dhe skllevër!
Tashmë kemi thënë se ligjet penale dhe financiare nuk janë gjë tjetër veçse degë të kushtetutës që fillimisht duhet të vendoset, dhe në të cilën duhet të përcaktohen qartë të drejtat e sundimtarit dhe të vartësve. Nëse ky themel mungon, çfarë dobie kanë degët, kur rrënja është zhdukur? E në disa shtete muslimane nuk ekziston asnjë kushtetutë përveç pushtetit absolut të individit.
E kur veprat e ndonjë sundimtari musliman përputhen me fjalët që tha Faraoni në kulmin e mendjemadhësisë së tij, kur iu drejtua popullit të vet: “Unë jam zoti juaj më i madh!”, si mund të thuhet atëherë se aty ekziston ligj i drejtë, apo se aty respektohen kufijtë e Allahut?!
Në kohën e halifatit të drejtë, thesari i shtetit (bejtul-mal) i përkiste popullit, ndërsa sundimtari prej tij merrte vetëm aq sa i mjaftonte për jetesën e tij. Kurse sot, në shumë vende muslimane, thesari i shtetit i përket sundimtarit: ai merr së pari pjesën luanore për vete, e pastaj atë që mbetet e “hedh” përpara popullit dhe e shpërndan për nevoja të përgjithshme.
Si mund të thuhet atëherë se këto janë qeveri islame dhe se aty zbatohet ligji i Allahut? Për fat të keq, këto vende muslimane dëshpërimisht kanë nevojë që ta ruajnë së pari ekzistencën e tyre më themelore, dhe nëse e arrijnë këtë, vetëm atëherë mund të nisin ngjitjen drejt nivelit që Islami ka përcaktuar. Por, para se ta arrijnë këtë shkallë, kurrsesi nuk mund të thuhet se këto janë qeveri që kanë zbatuar Islamin, as në aspektin fetar e as në atë politik (shtetëror).
Shkruan: Shejh Muhamed el-Gazali
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)






















