Lajme
Ministrja Spiropali nesër vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë Elisa Spiropali, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut në dy ditët e ardhshme, më 22 dhe 23 dhjetor.
Spiropali do të pritet në Shkup nga presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, kryeministri Hristijan Mickoski, kryetari i Parlamentit Afrim Gashi dhe ministri për Punë dhe Tregti të Jashtme, Timço Mucunski. Ky i fundit, bashkë me ministren Spiropali do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët për shtyp të hënën në orën 11:30.
Sipas një njoftimi nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, gjatë kësaj vizite Spiropali do të theksojë rëndësinë e avancimit të mëtejshëm të lidhjeve dypalëshe e rajonale.
Më vonë, ajo do të zhvillojë një darkë pune me zv.kryeministrin për Mirëqeverisje dhe Antikorrupsionin, Arben Fetai dhe ministrin e Integrimit në detyrë, Orhan Murtezani.
Në këto takime, Spiropali do të rikonfirmojë mbështetjen e fortë për integrimin europian të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se zgjerimi i BE-së mbetet një instrument strategjik për paqe, stabilitet dhe qëndrueshmëri demokratike në Europën Juglindore. Në fokus do të jetë edhe projekti i Korridorit VIII si një projekt strategjik energjetik dhe i sigurisë, që lidh Mesdheun me Detin e Zi.
Në Tetovë, ministrja Spiropali do të takohet edhe me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, dhe me Kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari. Ajo do të zhvillojë gjithashtu një takim edhe me Kryetarët e koalicionit qeveritar VLEN, Izet Mexhiti, Bilal Kasami dhe Bekim Sali. Spiropali do të takohet me kryetarin e Komisionit të Jashtëm të Kuvendit Musa Xhaferri, me zonjat deputete nga të gjitha partitë politike shqiptare dhe me përfaqësues shqiptarë të pushtetit lokal.
Ministrja do të vlerësojë rolin vendimtar të faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut në ruajtjen e stabilitetit dhe avancimin e proceseve euroatlantike, si dhe rëndësinë e Marrëveshjes së Ohrit si themel i harmonisë shumëetnike dhe kohezionit social.
Pas të gjitha këtyre, Spiropali do të zhvillojë një vizitë edhe në Institutin e Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup. Udhëtimi i saj do të përmbyllet me një bashkëbisedim në Universitetin e Tetovës./tvklan.al

















