Connect with us

Lajme

Kontradiktat në BE: a mund të kenë emra “mishi” hamburgerët dhe salçiçet me bazë bimore?

Publikuar

Ligjvënësit evropianë do të debatojnë nëse konsumatorët e zakonshëm mund të ngatërrohen nga përdorimi i termave si “hamburger vegjetarian” ose “salçiçe” me bazë bimore. Prodhuesit e mishit paralajmërojnë se situata nuk është aq e thjeshtë.

Vendet e BE-së dhe ligjvënësit duhet të vendosin nëse do të kufizojnë përdorimin e emrave si hamburgerë, salçiçe dhe biftek për produktet që përmbajnë mish.

Ky është një debat i gjatë, me fermerët që paralajmërojnë se një terminologji e tillë ngatërron konsumatorët dhe rrezikon sektorin e tyre.

Pse janë të diskutueshme salçiçet me bazë bimore?

Parlamenti Evropian e rindezi këtë polemikë në tetor kur mbështeti një propozim për të rezervuar emra si biftek, salçiçe dhe hamburger ekskluzivisht për produktet që përmbajnë mish.

Mbështetësit thonë se masa do të ndihmonte në mbrojtjen e vlerës së produkteve tradicionale të mishit dhe do të parandalonte konfuzionin midis konsumatorëve.

Propozimi u prezantua nga ligjvënësja konservatore franceze Celine Imart, e cila argumenton se rregulla të tilla do të parandalonin konfuzionin me produktet tradicionale të mishit. Imart theksoi se qëllimi nuk është të ndalohen produktet me bazë bimore, por të mbrohet “kuptimi i vërtetë” i termave të kuzhinës.

Tani shtetet anëtare duhet të negociojnë me Parlamentin, megjithëse disa, veçanërisht Gjermania, tregu më i madh i Evropës për produkte vegjetariane dhe vegane, kanë shprehur rezerva. Zinxhirët gjermanë Lidl dhe Aldi po e kundërshtojnë ndalimin, duke paralajmëruar se shitjet mund të bien sepse konsumatorët janë mësuar tashmë me emrat ekzistues.

A po i ngatërrojnë konsumatorët produktet me bazë bimore me mishin?

Ky debat ka marrë mbështetje të papritur nga jashtë. Ish-anëtari i Beatles, Paul McCartney, është bashkuar me një grup ligjvënësish britanikë që i kërkojnë BE-së të mbajë rregullat aktuale.

Edhe pse Mbretëria e Bashkuar nuk është më anëtare e BE-së, grupi tha se vendimet e bllokut ende kanë ndikim në tregjet më të gjera. Ata argumentojnë se konsumatorët po zgjedhin me vetëdije produktet me bazë bimore dhe nuk po i ngatërrojnë ato me mishin.

Prodhuesit e mishit nuk pajtohen. Organizata franceze e industrisë Interbev pretendon se produktet me bazë bimore po i turbullojnë vijat ndarëse midis kategorive dhe po përdorin terminologjinë e mishit për qëllime marketingu, ndërsa minojnë njohjen e produkteve “natyrale, të papërpunuara”.

Franca u përpoq të fuste kufizime për emrat në vitin 2024, por rregullat u rrëzuan nga Këshilli i Shtetit në fillim të vitit 2025, pas një vendimi nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë, shkruan DW.

Parlamenti Evropian më parë kishte hedhur poshtë legjislacion të ngjashëm në vitin 2020, por situata politike ndryshoi pas zgjedhjeve të vitit 2024. Konservatorët dhe e djathta ekstreme, të cilat janë të afërta me interesat bujqësore, ndihmuan në rikthimin e propozimit në axhendë.

Megjithatë, ekzistojnë mosmarrëveshje edhe brenda këtyre grupeve. Kreu i grupit konservator të Partisë Popullore Evropiane, Manfred Weber, e hodhi poshtë idenë si “jo-prioritare”, duke theksuar se konsumatorët “nuk janë budallenj”. /tesheshi.com/

NA NDIQ NË FACEBOOK