Connect with us

Shqipëri

Euro këmbehet për 96.57 lekë, në nivelin më të ulët historik / Por fundviti pritet ta dobësojë edhe më tej

Publikuar

Me hyrjen në muajin dhjetor, afrimin e festave të fundvitit si dhe dërgimin e më shumë parave të emigrantëve për familjet e tyre në Shqipëri, euro preku nivelin më të ulët historik ndonjëherë.

Për 96.57 lekë po këmbehet monedha europiane, ndërsa 1 vit më parë kjo shifër arrinte në 98.32 lekë.

Për analistët, kjo ecuri e euros me minimume të reja pritet të vazhdojë ndërsa i afrohemi edhe fundvitit.

“Kemi vlera pozitive për investimet e huaja direkte dhe remitancat që mund të jenë faktor ndikues në kursin e këmbimit, por trendi i tyre nuk shkon konform trendit të zhvlerësimit të monedhave në raport me lekun. Ky nuk është fenomen sezonal apo i përkohshëm, por është një kurs stabil i stacionuar”, thotë eksperti i ekonomisë, Igli Tola.

Për të frenuar rënien e mëtejshme të euros si dhe ruajtjen e një qëndrueshmërie, Banka e Shqipërisë deri në muajin shtator tërhoqi nga tregu 800 milionë euro, ndërkohë që gjatë gjithë vitit 2024 u tërhoqën 933 mln euro. Një situatë e tillë e euros ka ndikuar ndjeshëm në sektorët më të prekur nga zhvlerësimi.

“Një shtrenjtim i monedhës vendase e bën jo atraktiv produktin vendas për t’u eksportuar. Nuk kemi parë një rënie të çmimeve në tregun e shumicës apo pakicës si rezultat i zhvlerësimit të kursit, por ka edhe faktorë të tjerë si tarifat doganore dhe kostot e prodhimit”, shton Tola.

Institucionet ndërkombëtare këshillojnë bankën qendrore që të lejojë një kurs të lirë të këmbimit dhe të pakësojë ndërhyrjet.

The post Euro këmbehet për 96.57 lekë, në nivelin më të ulët historik / Por fundviti pritet ta dobësojë edhe më tej first appeared on JavaNews.al.

NA NDIQ NË FACEBOOK