Lajme
Dauti: Doganat e Maqedonisë së Veriut me rezultate të dukshme dhe mbi 100 milionë euro të hyra gjatë vitit 2025

Zëvendësdrejtori i Doganave të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Mustafa Dauti, ka bërë të ditur se gjatë vitit 2025 Doganat kanë shënuar rezultate të rëndësishme dhe progres të qëndrueshëm në realizimin e objektivave strategjike dhe institucionale.
Sipas Dautit, viti që po lëmë pas është karakterizuar nga angazhim i shtuar, përgjegjësi profesionale dhe përmirësim i vazhdueshëm i proceseve doganore, duke kontribuar drejtpërdrejt në forcimin e sigurisë ekonomike dhe fiskale të shtetit.
Ai theksoi se nën një udhëheqje me vizion të qartë dhe menaxhim efikas janë ndërmarrë masa konkrete për rritjen e efikasitetit operacional, modernizimin e sistemeve doganore dhe forcimin e kontrollit kufitar, me fokus të veçantë në luftën kundër kontrabandës dhe veprimtarive të paligjshme.
“Gjatë vitit 2025, të hyrat buxhetore të realizuara nga Doganat kanë arritur në mbi 100 milionë euro”, bëri të ditur Dauti.
Ai shtoi se është rritur numri i kallëzimeve penale dhe kundërvajtëse ndaj personave fizikë dhe juridikë, përfshirë raste të tentativave për kontrabandë, shmangie nga detyrimet doganore dhe shkelje të tjera ligjore. Po ashtu, janë konfiskuar sasi të mëdha mallrash si ari, cigare, lëndë narkotike, automjete, mallra të falsifikuara dhe mjete të ndryshme teknike.
Gjatë këtij viti, Doganat kanë nënshkruar edhe një sërë memorandumesh bashkëpunimi me institucione vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë marrëveshje me Agjencinë Kombëtare Doganore të Bullgarisë, Ministrinë e Tregtisë së Turqisë, Regjistrin Qendror, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, si dhe Ministrinë e Energjisë, Minierave dhe Lëndëve të Para, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe harmonizimin me standardet evropiane.
Dauti theksoi gjithashtu investimet në zhvillimin e kapaciteteve njerëzore përmes trajnimeve profesionale dhe avancimit të integritetit institucional, si dhe zbatimin e konceptit “një ndalesë e vetme” në pikat kufitare me Kosovën dhe Serbinë, duke lehtësuar qarkullimin e qytetarëve dhe mallrave.
Një arritje e veçantë, sipas tij, është realizimi i 21 punësimeve të reja për shqiptarët, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt drejtësisë dhe barazisë reale në institucionet shtetërore.
“Këto rezultate janë dëshmi e punës së palodhshme të stafit doganor dhe udhëheqësisë, duke vendosur themele të forta për ndërtimin e një sistemi doganor modern, të besueshëm dhe të harmonizuar me standardet evropiane”, ka theksuar Dauti, duke shtuar se angazhimi profesional do të vazhdojë edhe në vitin e ardhshëm për rezultate edhe më të mira.

















