Bota
Damask: mesazhe nga xhamia në përvjetorin e parë të rënies së Bashar al-Assad-it

Sirianët po shënojnë përvjetorin e parë të përmbysjes së Bashar al-Assad-it dhe sundimit të tij të rëndë të hënën, më 8 dhjetor, ndërsa vendi i ndarë përpiqet të gjejë stabilitet dhe të rimëkëmbet nga vitet e luftës.
Festimet zyrtare janë planifikuar për Sheshin qendror Umayyad në Damask. Priten edhe parada ushtarake.
Assad-i iku nga Siria për në Rusi një vit më parë, ndërsa kryengritësit komandën e Presidentit të ri sirian Ahmed al-Sharaa pushtuan Damaskun, duke i dhënë fund sundimit të tij pas më shumë se 13 vitesh lufte që u përshkallëzua në një kryengritje kundër Assad-it.
Sharaa shënoi përvjetorin duke kryer lutjet e agimit në Xhaminë Umayyad në Damask, raportoi agjencia
shtetërore e lajmeve SANA. Ai ishte veshur me uniformën ushtarake që mbante veshur gjatë fushatës fitimtare të udhëhequr nga grupi i tij Hayat Tahrir al-Sham, tha agjencia.
Sharaa u zotua të ndërtonte një Siri të drejtë dhe të fortë.
“Nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim, me vullnetin e Zotit, ne do të rivendosim një Siri të fortë me një rend të denjë për të kaluarën dhe të tashmen e saj”, tha ai, sipas SANA-s.
Shaaraa ka prezantuar ndryshime të mëdha që kanë riformësuar politikën e jashtme të vendit. Ai ka
përqafuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, ka fituar mbështetje nga shtetet e Gjirit dhe Turqia, dhe është distancuar nga aleatët e Asadit, Irani dhe Rusia. Shumica e sanksioneve të ashpra perëndimore janë hequr.
Ai ka premtuar të zëvendësojë shtetin brutal policor të Asadit me një rend gjithëpërfshirës dhe të drejtë.
Por qindra janë vrarë në një valë dhune sektare, duke shkaktuar zhvendosje të reja dhe duke thelluar mosbesimin e pakicave ndaj qeverisë së Sharaa-s, ndërsa ajo kërkon të rivendosë kontrollin e plotë të Damaskut mbi vendin.
Administrata e udhëhequr nga kurdët në verilindje ka ndaluar tubimet dhe ngjarjet për arsye sigurie, duke paralajmëruar për aktivitet në rritje nga “qelizat terroriste” që kërkojnë të shfrytëzojnë përvjetorin. Në të njëjtën kohë, ata uruan sirianët për përvjetorin.
Në jug, një pjesë e druzëve, një komunitet fetar pakicë, po kërkon autonomi në provincën Sweida pasi qindra u vranë në përleshjet vdekjeprurëse me forcat qeveritare në korrik.
Sharaa tha në një forum në Katar gjatë fundjavës se “Siria po jeton kohën e saj më të mirë sot”, pavarësisht shpërthimit të dhunës, dhe u zotua të mbajë përgjegjës të gjithë autorët.
Ai tha se periudha kalimtare nën udhëheqjen e tij do të zgjaste edhe katër vjet të tjera për të ndërtuar institucione, për të miratuar ligje dhe për të hartuar një kushtetutë të re, e cila do të vihej në votim publik dhe më pas do të zhvillonte zgjedhje.
Shaaraa ka kompetenca të gjera sipas një kushtetute të përkohshme të miratuar në mars. Autoritetet organizuan zgjedhje indirekte për të formuar parlamentin në tetor. Por Shaaraa ende nuk ka zgjedhur një të tretën e 210 anëtarëve të parlamentit, siç kërkohet nga kushtetuta.





















