Lajme
Cinizmi me emrin Endri Shabani: Lot detyre për Erjon Veliajn(!)

Akti i parë i Avokatit të ri të Popullit, Endri Shabanit, për një cinizëm të papërshkrueshëm, ka qenë ai i denoncimit të padrejtësive ndaj…Erjon Veliajt.
Opozitari i deridjeshëm i Nisma Thurje, një ndër ata që zjarrmonte në akuza ndaj pushtetit, tashmë, në rolin e ri, duhet të avokojë për të drejtat e asaj pjese pushtetit që ndodhet pas hekurave. Mes tyre është dhe ish-ministri Beqja, përfunduar në burg pas një denoncimi të pikërisht Endri Shabanit.
Më saktë, Avokati i Popullit në një raport të publikuar së fundmi ka deklaruar se Erion Veliajt i është cënuar privatësia mjekësore nga policia e burgjeve. Verifikimet janë kryer pas shqetësimeve të shprehura nga kryebashkiaku i Tiranës i cili gjatë ekzaminimeve mjekësore nuk u la vetëm me mjekët, por gjatë kolonoskopisë qëndroi edhe një efektiv i burgjeve.
Pas vizitës urgjente mjekësore të 31 korrikut, kryebashkiaku njoftoi Avokatin e Popullit për shkelje të dinjitetit. Avokati i Popullit thotë në raport se komisionerët pyetën mjekët që e ekzaminuan kryebashkiakun dhe ata kanë pohuar se Erion Veliaj e kishte kundërshtuar praninë e policisë gjatë kolonoskopisë.
“U kam kërkuar punonjësve të presin jashtë”, pohon mjeku, “por ata nuk kanë pranuar duke thënë se e kanë për detyrë të zbatojnë rregullat e sigurisë të miratuara në këto raste”.
Nga këqyrja e ambientit të dhomës, përshkruan komisioneri, rezulton se vendi ku u krye ekzaminimi i kryebashkiakut ishte i hapur dhe i pandarë, ku mundësia për të shmangur shikimin dhe dëgjimin se çfarë po ndodhte në dhomë ishte e pashmangshme.
Sakaq, në pyetjet e drejtuara Drejtorisë së Burgjeve, konfirmohet se Veliaj vlerësohej nga autoritetet, gati një muaj pas arrestimit, si një i burgosur me risk standard, pra jo i rrezikshmërisë së lartë, dhe për këtë arsye dilet në përfundimit se prezenca e policisë gjatë vizitës mjekësore ishte e panevojshme.
Por në katër shkresa të përcjellja nga Burgjet, i shpjegohet Avokatit të Popullit se prezenca e policisë duke shkelur raportin pacient mjek, në rastin Veliaj u ndoq duke zbatuar një urdhër të drejtorit të përgjithshëm të burgjeve që i përket 21 janarit 2019, ndaj Avokati i Popullit kërkon ndryshime sa më të shpejta.
Ky rekomandim prek urdhrin e drejtorit të përgjithshëm të burgjeve.
Nisur nga rasti Veliaj avokati i Popullit deklaron se prania e policisë gjatë vizitave mjekësore që duhet të mbeten konfidenciale, duhet të lejohet vetëm në raste të jashtëzakonshme sigurie dhe rekomandon se urdhri i 2019 duhet të ndryshojë dhe të përmbushen standardet ndërkombëtare për respektimin e dinjitetit. /tesheshi.com/




















