Connect with us

Lajme

Cilat ishin bibliotekat e medreseve në hapësirat shqiptare?

Publikuar

Çdo medrese e ngritur në trojet shqiptare gjatë periudhës osmane ka pasur bibliotekën e vet. Volumet e dorëshkrimeve që përdoreshin dhe ruheshin në këto biblioteka u përkisnin jo vetëm disiplinave të ndryshme fetare, si dogmatikë (akaid), jurisprudence islame (fikh), egzegezë kuranore (tefsir), traditë islame (hadith), por edhe leksikografisë, filologjisë, letërsisë, matematikës, astronomisë, mjekësisë, pedagogjisë logjikës, etj. Volume dorëshkrimesh të këtilla njerëzit tanë kanë blerë nëpër qendra të mëdha kulturore të orientit islam. Një numër i konsiderueshëm e tyre është kopjuar edhe nga studentët dhe kaligrafët vendës. Rrjedhimisht, bibliotekat e medreseve kanë vend dhe rëndësi të veçantë në historinë e bibliotekave në Shqipërinë etnike.

Biblioteka më e vjetër e këtij lloji, e themeluar në trojet shqiptare gjatë periudhës osmane, është ajo e Medresesë së Is’hak beut në Shkup, e ngritur rreth vitit 1411 dhe e vakëfuar në vitin 1444. Koleksioni fillestar që e dhuroi për këtë bibliotekë themeluesi i saj, Is’hak beu, numëronte 24 volume dorëshkrimesh.

I biri i Is’hak beut, Isa beu, para vitit 1469 formoi bibliotekën deri atëherë më të pasur në trojet shqiptare, pranë medresesë së tij në Shkup. Në këtë bibliotekë Isa beu vakëfoi mbi 330 volume dorëshkrimesh. Në vakëfnamen e tij të protokolluar në vitin 1469, për herë të parë në trojet shqiptare, është përmendur bibliotekari (muhafizi-i kutub), të cilit i ka caktuar edhe pagën dy aspra në ditë.

Në vitin 1508 Is’hak Çelebiu, i biri i Isa Fakih Manastirit, vakëfoi një koleksion dorëshkrimesh prej 39 volumesh për bibliotekën e Medresesë së tij që e ngriti në Manastir. Në dokumentin e vakëfnamesë janë shënuar edhe titujt e tyre.

Në shek. XVI janë ngritur biblioteka të medreseve në të gjitha qytetet shqiptare të asaj kohe. Në Prizren, Mehmed pashë Jahjapashaj ka ngritur medresenë e njohur si Medreseja e Gazi Mehmet pashës, në vitin 1537. Kjo medrese ka pasur bibliotekën nga më të pasurat në trojet shqiptare. Edhe sot janë ruajtur mbi 400 volume dorëshkrimesh të saj, midis të cilave edhe një volum i dhuruar nga i famshmi, Koxha Sinan pasha i Topojanit të Lumës.

Biblioteka e Medresesë së Vjetër të Pejës (Medrese-i Atik) është ngritur nga Mehmet beu para vitit 1516.

Sipas të dhënave që na ofron Evlija Çelebiu, deri në gjysmën e dytë të shek. XVII janë hapur medrese në çdo qytet, madje edhe në disa qyteza shqiptare. Vushtrria kishte një medrese, Prishtina kishte disa medrese (nuk e saktëson numrin), Lezha kishte disa medrese (nuk e thotë numrin), Shkodra kishte shtatë medrese, Bushati një medrese, Delvina tre medrese, Gjirokastra tre medrese, Përmeti një medrese, Roshniku i Beratit një medrese, Berati pesë medrese, Vlora tre medrese, Kąvaja dy medrese, Peqini tre medrese, Elbasani kishte disa medrese (nuk e thotë numrin), Struga kishte një medrese, Ohri dy medrese, Resnja dy medrese, Pogradeci dy medrese, Starova një medrese etj.

Sipas burimeve të tjera osmane, del se Shkupi kishte 13 medrese, Prizreni pesë medrese, Gjakova dy medrese, Peja dy medrese, Gjilani një medrese, Tirana një medrese, kurse Dibra kishte dhjetë medrese. Të gjitha këto medrese kanë pasur bibliotekat e veta.

Në shekullin XVIII u ngritën medrese dhe pranë tyre biblioteka të reja në qendrat shqiptare. Njëra nga medresetë tona të shquara, të themeluara në dekadën e parë të shek. XVIII, është Medreseja e Madhe (Medrese-i atîk) e Gjakovës, e ngritur nga Murad beu i biri i Adem pashës, në vitin 1707. Një numër dorëshkrimesh që i ka dhuruar kësaj biblioteke Murad beu, vetë i kishte kopjuar, ndërsa shumë dorëshkrime të tjera, i ka blerë dhe i ka dhuruar për bibliotekën e medresesë së tij.

Në Prishtinë, qysh nga viti 1566, Besharet beu ka ngritur medresenë dhe bibliotekën e njohur me emrin e tij. Nga kjo bibliotekë janë ruajtur dorëshkrime që dëshmojnë funksionimin e saj që nga viti 1566. Maliq pashë Gjinolli para vitit 1814 pranë medresesë së tij të njohur si Medresesja e Re në Prishtinë, ngriti edhe bibliotekën dhe i siguroi pagën bibliotekarit (hāfiz-i kütüp), siç konfirmon vakëfnameja e nipit të tij, Jashar pashës.

Në Berat në fillim të shek. XVIII, zonja Ajshe (Ajshe Kadën, e bija e Mahmud Pashës vd. 1160/ 1747) dhe motra e Ismail pashë Velabishtit, me bashkëshortin e saj, Sali beun, ngritën dhe vakëfuan Medresenë e Madhe të Beratit brenda të cilës funksiononte edhe biblioteka e saj.

Gjatë kohës së sundimit të Mehmet pashë Bushatit (Plaku) në Sanxhakun e Shkodrës (1757-1775), ai, përveç tjerash, ngriti në Shkodër institucionin e parë arsimor edukativ të lartë, të njohur si Medreseja e Qafës, e cila ka pasur bibliotekën e vet. Edhe i biri i Mehmed pashë Plakut, Kara Mahmud pasha (sundoi 1775 -1796), ngriti në Shkodër, pranë Pazarit të Vjetër, Medresenë e Madhe.

Në Gjirokastër, më 8 janar të vitit 1767, Muhtar Aga vakëfoi medresenë e tij, të njohur si Medreseja e Muhtar Agës.

Mahmud pashë Rrotlla, i biri i Tahir pashës, ndërmjet viteve 1806-1831, ka ngritur një medrese në Prizren (lagjja Bylbyldere), që njihej me emrin Medreseja e Mahmud Pashës. Edhe vëllai i tij, Emin pashë Rrotlla, në vitin 1831, ka ngritur medresenë që njihet me emrin e tij në Prizren.

Nē Tepelenë, Ali pashë Tepelena, nē vitin 1814, ka ngritur një Medrese, një mejtep dhe një xhami. Ali pashë Tepelena edhe në fshatin Hajlak, ka ngritur një kompleks që përbëhej nga një medrese, një mejtep dhe një xhami.

Nē Tiranë, para vitit 1825, poeti dhe myteselimi i Tiranës, Haxhi Ed’hem beu, ka ngritur një medrese.

Në fillim të shek. XIX, rreth vitit 1807, u ngrit Medreseja e Vogël e Gjakovës. Myderrizi i parë i kësaj medreseje, Tahir efendi Boshnjaku – Gjakova, kishte një bibliotekë të pasur. Edhe myderrizët e tjerë të kësaj medreseje, Ali efendi Mici, Hasan efendi Shllaku, Haxhi Ali – Myrteza Luzha, Haxhi Emin efendi Hoxha, Haxhi Jusuf efendi Çarkaxhiu etj. Kanë kontribuar në pasurimin e bibliotekës së Medresesë së Vogël.

Të gjithë këta, gjithashtu kishin formuar bibliotekat e tyre private.

 

NA NDIQ NË FACEBOOK