Religjion
Çfarë vlere ka festa nëse ka ndriçuar vetëm rrugën

Pakënaqësia është një gjendje në të cilën sot jeton shumica e njerëzve, përfshirë edhe besimtarët. Të pakënaqur pothuajse me gjithçka që i rrethon, e megjithatë të paaftë për të ndryshuar shumë nga ajo që i rrethon. Kjo pakënaqësi njeriun, madje edhe besimtarin, shpesh e hedh në dëshpërim, në humbje shprese, aq sa arrin të mendojë se edhe vetë është i pavlefshëm, sepse – si të thuash – nuk mund të ndikojë në asgjë. Por, a është vërtet kështu?
Po, është e vërtetë se në planin global nuk mund të ndryshoj asgjë. Shoh sesi të pasurit dhe të fuqishmit i shtypin të dobëtit, ndihem i tronditur, por nuk jam i fuqishëm.
Po, është e vërtetë se në nivelet e larta të pushtetit në vendin tim nuk mund të ndryshoj asgjë. Shoh grindjet dhe përplasjet, shoh padrejtësinë dhe pandershmërinë, shoh sesi ata që do të duhej të kujdeseshin për shtëpinë tonë e shkatërrojnë atë, por nuk jam i fuqishëm.
Po, është e vërtetë se në shumë sfera të jetës sonë nuk mund të ndryshoj pothuajse asgjë. Shoh bashkëqytetarët tanë duke u munduar që në sëmundje ta bëjnë jetën e tyre më cilësore, duke paguar shtrenjtë për ilaçe. Fatkeqësisht, nuk jam i fuqishëm.
Por, nëse dikush do të na pyeste: a keni dëshirë, a keni vullnet që kjo të ndryshojë, pa dyshim se të gjithë njëzëri do të thërrisnim: po, duam!
Mbrëmë ishte nata e parë para të premtes në muajin Rexheb, nata e Regaibit, e quajtur nata e dëshirave. Ajo na vjen çdo vit për të na nxitur që ta gjejmë rrugën që na mundëson ta ndryshojmë atë që nuk është e mirë, përkatësisht t’i realizojmë dëshirat tona. Hapi drejt këtij qëllimi është vetëdija se synimi ynë themelor jetësor është që ta arrijmë kënaqësinë e Allahut.
Imagjino sikur, si njeri, të jesh i vetëdijshëm për përkohshmërinë tënde, dhe si besimtar të jesh i vetëdijshëm se po udhëton drejt përjetësisë, drejt jetës së vërtetë. I zhytur në këtë të vërtetë, do t’ia vije vetes si detyrë që me çdo gjest, me çdo hap, me çdo vepër dhe me çdo angazhim, të dëshirosh që Krijuesi yt të jetë i kënaqur. Dhe një vepër e tillë, ecja në këtë rrugë, domosdoshmërisht të bën të lumtur dhe u sjell lumturi edhe njerëzve rreth teje – madje jo vetëm njerëzve.
Edhe njerëzit që e krijojnë skenën globale e quajnë veten besimtarë. Ja, tani po përgatiten ta shënojnë ditëlindjen e të dërguarit Isa, alejhi selam. I zbukurojnë dhe i stolisin shtëpitë dhe rrugët, ndërsa mesazhi i asaj dite, për ta kaq të rëndësishme, është që ta zbukurojnë veten dhe sjelljen e tyre, të bëjnë vepra me të cilat Allahu do të jetë i kënaqur dhe kështu t’ia mundësojnë lumturinë vetes, por edhe të pafuqishmëve dhe të varfërve, që edhe ata të ecin në rrugën drejt lumturisë.
Edhe njerëzit që i mbushin të gjitha nivelet e pushtetit në vendin tonë e quajnë veten besimtarë. Disa përgatiten ta shënojnë ditëlindjen e Isait, të tjerë e shënojnë Regaibin, Miraxhin dhe e presin Ramazanin. Sa bukur do të ishte sikur këto ditë, kaq të rëndësishme për secilin prej tyre, ta shënonin sjelljen e tyre dhe sikur të bënin vepra që çojnë drejt kënaqësisë së Allahut – dhe ja, dëshirat tona do të përmbusheshin, dhe ja, lumturia për të gjithë!
Por e vërteta e hidhur është se gjithçka që lidhet me shënimin e këtyre ditëve të rëndësishme do të mbetet vetëm te drita që i ndriçon ballkonet, por jo edhe zemrat; te drita që i ndriçon sheshet dhe rrugët, por jo edhe zemrat; dhe se gjithçka do të mbetet e njëjtë, madje mund të bëhet edhe më keq. Prandaj është e rëndësishme për ne ta dimë se nuk duhet të presim, por të nisemi menjëherë drejt lumturisë dhe përmbushjes së dëshirave. Dhe kjo rrugë quhet: e ndryshoj veten dhe eci, eci me vendosmëri drejt lumturisë, do ta përmbush qëllimin tim, do të jem i lumtur.
Derisa e imagjinoj se sa bukur do të ishte sikur “të mëdhenjtë”, që mendojnë se e drejtojnë botën, me vendimet dhe veprat e tyre të nxitonin drejt kënaqësisë së Allahut, asgjë nuk më pengon që unë vetë të eci në këtë rrugë. Dua, o Zot, që Ti të jesh i kënaqur me mua, prandaj çdo vepër që e bëj, me nijet të pastër dhe të sinqertë do ta bëj. I Dërguari (savs) më ka mësuar se veprat vlerësohen sipas qëllimit, prandaj nuk do të bëj asgjë për t’u pëlqyer njerëzve, por për ta jetuar fenë dhe për të nxituar drejt strehës së mëshirës së Allahut.
Derisa e imagjinoj se sa bukur do të ishte sikur këta ‘të mëdhenjtë’ tanë – të cilët mendojnë se do të shkruhen me shkronja ari në faqet e teksteve të historisë, ndërkohë që historia, do të dojë t’i harrojë edhe ata edhe kohën e tyre – ta synonin kënaqësinë e Allahut, asgjë nuk më pengon që unë ta përdor kohën që më është dhuruar në atë mënyrë që ma siguron mua kënaqësinë e Tij. Dua, o Zot, që Ti të jesh i kënaqur me mua, prandaj çdo ditë, çdo çast, sa kohë që shpirti është në këtë trup, do t’ia kushtoj luftës që Fjala Jote të jetë mbi të gjitha. I Dërguari Yt (savs) na ka mësuar se toka mbi të cilën ecim do të dëshmojë para Teje se ku kemi qenë në çdo çast të jetës sonë dhe çfarë kemi bërë.
Ndërsa e imagjinoj që në të gjitha sferat e jetës sonë dhe të bashkëjetesës në këtë shoqëri të mbizotërojnë drejtësia dhe ndershmëria, të mbizotërojnë sakrifica dhe dëshira për t’i ndihmuar njeriut, dhe që kështu të gjithë të nxitojnë drejt kënaqësisë së Allahut, unë do të përpiqem dhe do të luftoj që ta fitoj jetesën në mënyrë të lejuar (hallall), në mënyrën me të cilën Ti, o Zot, je i kënaqur.
Ne dje, mbrëmë, e shënuam natën e dëshirave, e cila na nxiti që me vendosmëri të ecim drejt përmbushjes së dëshirës për t’u strehuar nën hijen e kënaqësisë së Allahut. Mjedisi ynë evropian dje e shënoi ditëlindjen e Isait, alejhi selam. Me ditë, madje me javë, i zbukuruan dhe ndriçuan dritaret e shtëpive, ballkonet, sheshet, qendrat tregtare… ndërsa dy të dërguarit, ngjizja e njërit prej të cilëve ishte mbrëmë, dhe ditëlindja e tjetrit ishte dje, njëzëri thonë: nuk është drita e minareve dhe as drita e shesheve ajo që e kemi sjellë ne. Drita që kemi sjellë ne i ndriçon zemrat, që në ato zemra të ketë vend për njeriun.
Çfarë vlere ka një shesh i ndriçuar, nëse e sulmon njeriun ngjyra e lëkurës së të cilit është ndryshe, i cili i lutet Allahut sipas ligjit të tij e jo sipas tëndit?
Çfarë vlere ka kandili në minare, nëse mes nesh nuk ka vëllazëri?
Çfarë vlere ka festa, nëse e ka ndriçuar vetëm rrugën?
Çfarë vlere ka një natë e bekuar, nëse i ka ndezur vetëm kandilat?
O Allahu i Madhëruar, na mëso se çka është drita. Amin.
Hatib: Izet ef. Čamdžić
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress.ch)






















