Connect with us

Lajme

Blerim Sejdiu: “Drejtësia” për spitalin modular në Tetovë po ndëshkon të pafajshmit

Publikuar

Nënkryetari i BESËS dhe njëherit kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, ka reaguar ashpër ndaj vendimeve të fundit lidhur me tragjedinë e spitalit modular në Tetovë, duke theksuar se në emër të drejtësisë po dënohen persona që nuk kishin as vendimmarrje dhe as përgjegjësi për ndërtimin dhe funksionimin e objektit.
“Sot, në emër të drejtësisë, po dënohen njerëz që nuk vendosën, nuk projektuan, nuk mbikëqyrën dhe nuk kishin pushtetin për të ndaluar këtë tragjedi,” thekson Sejdiu.
Sipas tij, të dënuarit nuk kanë hapur tenderë, nuk kanë përcaktuar standarde ndërtimi dhe nuk kanë pasur përgjegjësi mbikëqyrëse, megjithatë po mbajnë barrën e fajit. Ndërkohë, siç thotë ai, personat që kishin pushtetin real për të vendosur, për të firmosur dhe për të reaguar, vazhdojnë të jenë të lirë.
“Kjo është një goditje e dyfishtë: një herë për viktimat dhe një herë për drejtësinë,” shprehet Sejdiu, duke shtuar se drejtësia që ndëshkon të pafajshmit për të mbrojtur të fuqishmit nuk mund të quhet drejtësi.
“Nëse fajtorët e vërtetë nuk mbajnë përgjegjësi, atëherë kjo tragjedi nuk ka marrë vetëm jetë njerëzish, por ka djegur edhe besimin në shtet,” përfundon reagimi i tij.

Advertisement

NA NDIQ NË FACEBOOK