Religjion
BËHU LUAN ATËHERË KUR TË VIJË RADHA JOTE

Shkruan: Ed’hem Sherkavi
Një ditë, Omeri (r.a.) po kalonte pranë xhamisë së të Dërguarit të Allahut në Medinë.
Brenda saj e gjeti Hasan bin Thabitin (r.a.) duke recituar poezi. Omeri e qortoi – jo sepse
poezia ishte e ndaluar, e as sepse ai do ta përçmonte vlerën e poetëve; vallë, a nuk ishte
vetë ai që kishte thënë: “Mësoni gjuhën arabe nga Libri i Allahut dhe nga poezia e vjetër
arabe!”
Por ai e qortoi nga respekti për xhaminë, duke dashur që ajo të ruhej e të lartësohej, që
në të të mos flitej asgjë tjetër përveç Kuranit dhe haditheve të të Dërguarit të Allahut
(savs).
Atëherë Hasan bin Thabiti i tha: “O Udhëheqës i besimtarëve! Unë kam recituar poezi në
këtë xhami, kur në të ishte ai që është më i mirë se ti!”
Pastaj u kthye nga Ebu Hurejre (r.a.) dhe i tha: “O Ebu Hurejre, a nuk e ke dëgjuar të
Dërguarin e Allahut (savs), kur më tha: ‘Përgjigju (idhujtarëve) në emrin tim! O Allah,
ndihmoje atë me Xhibrilin!’”
Ebu Hurejre (r.a.) – u përgjigj: “Po, e kam dëgjuar.” Atëherë Omeri u largua dhe e la atë
rehat.
Sikur unë të isha ndër ata që mbledhin hadithe për virtytet e Omer bin Hattabit (r.a.) unë
do ta kisha përfshirë edhe këtë ngjarje ndër virtytet e tij. Sepse virtyti nuk qëndron në atë
që njeriu të ketë gjithnjë të drejtë, por në atë që të jetë i përulur përpara së vërtetës, kur
i bëhet e qartë se ka gabuar.
“Përgjigju në emrin tim!” – ja, ky është thelbi! Kjo është esenca dhe qëllimi i këtyre
fjalëve.
Kjo fe, e cila dikur kishte nevojë për shpatën e Halid bin Velidit (r.a.) – në ditët më të
ashpra të betejave, kishte po aq nevojë edhe për vargjet e Hasan bin Thabitit, kur u
ndezën betejat e mendimit dhe të ideve.
Halidi nuk mund ta merrte vendin e Hasanit, e as Hasani nuk mund ta zinte vendin e
Halidit.
Allahu i Lartësuar e ka vendosur secilin prej nesh në një “vend roje” (në kufijtë e Islamit),
dhe detyra e secilit është që ta ruajë atë vend me gjithë fuqinë e tij, pa e nënvlerësuar
“kalanë” që mbron, dhe pa i përbuzur të tjerët, duke thënë se “kalaja” e tij është më e
rëndësishme se e të tjerëve.
Pasuria e Osman bin Affanit (r.a.) ishte më e vlefshme se leximi i Ubejj bin Ka’bit (r.a.)
në ditën e përgatitjes së ushtrisë për betejën e Tebukut. Por kur u tubua Kurani në një
Mus’haf, leximi i Ubejj bin Ka’bit ishte më i vlefshëm se pasuria e Osmanit, shpata e
Halidit apo vargjet e Hasanit.
Prandaj, bëhu luan atëherë kur të vijë radha jote!
Shpata e Ali bin Ebi Talibit (r.a.) kur u përball me luftëtarin e njohur idhujtar Merhabin në
Betejën e Hendekut, ishte e barabartë në vlerë me pasurinë e Ebu Bekrit (r.a.) kur me të
e liroi Bilalin nga robëria. Shpata e Aliut nuk mund ta çlironte një skllav nga prangat e tij,
ashtu sikur që pasuria e Ebu Bekrit nuk mund ta mposhte Merhabin.
Kjo fe është një sistem plotësimi të ndërsjellë mes ndjekësve të saj, e jo garë për epërsi
apo lavdi. Kështu është edhe sot gjendja e Islamit: “llogoret” dhe “kështjellat” janë të
ndryshme, dhe secili prej nesh është vendosur në llogorin e vet dhe në kështjellën e vet.
Nëna në shtëpinë e saj është në llogor, sepse të rritësh burra të vërtetë është një mision
madhështor.
Mësuesi në klasën e tij është në llogor, sepse një popull i paditur udhëhiqet, por nuk
mund të udhëheqë të tjerët.
Muxhahidi është në llogorin që tregtari i pasur nuk mund ta zëvendësojë.
Por llogori i tregtarit – përmes sadakasë, shpenzimit të pasurisë dhe ndihmës ndaj
njerëzve – nuk është aspak më i parëndësishëm se ai i muxhahidit që derdh gjakun në
rrugën e Allahut.
Shiko ku të ka vendosur Allahu – ai është llogori yt! Ruaje atë llogor dhe lufto për të me
gjithçka ke! Dhe kur secili prej nesh ta përmbushë detyrën e tij, umeti islam do të ringjallet
dhe do ta rifitojë dinjitetin e vet.
Tregohet se gruaja e një mbreti u sëmur, dhe mjekët i rekomanduan që të lahej çdo ditë
me qumësht.
Mbreti u habit dhe tha: “Si mund të mbushet çdo ditë një pishinë me qumësht?”
Ministri i tij i propozoi që çdo bari në mbretëri të sillte natën nga një kovë qumësht dhe ta
derdhte në pishinë, dhe kështu do të zgjidhej problemi.
Por çdo bari mendoi me vete: “Nëse unë e sjell një kovë me ujë në vend të qumështit,
nuk do të dallohet mes kaq shumë kovash qumështi. Mbreti s’do ta vërejë.”
Kur zbardhi dita, pishina ishte mbushur e gjitha me ujë!
Askush nuk nisi nga vetja. Të gjithë pritën që ta bënin të tjerët.
Dhe ja, ky është – shkurt – realiteti ynë sot. https://saff.ba//…
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini























