Lajme
Azizi: Gostivari ka nevojë për një dorë të provuar, jo për eksperimente

Shefi i shtabit të VLEN-it, Adnan Azizi në nisjen e fushatës zgjedhore ka qëndruar në Gostivar nga ku konstatoi se periudha e fundit kur është punuar realisht për Gostivarin ka qenë gjatë mandatit të Nevzat Bejtës.
Sipas Azizit, qytetarët e Gostivarit janë të vetëdijshëm për këtë dhe është koha që Bejta të rikthehet për të rregulluar, siç u shpreh ai, dëmet e shkaktuara nga udhëheqjet pasuese.
“Ata nuk garojnë për të bërë punë për Gostivarin. Atyre iu duhet Gostivari për mbijetesë politike, për shpëtimin e karrierës personale dhe financimin e partisë”, ka theksuar Azizi, duke akuzuar kundërshtarët politikë se nuk e kanë në fokus interesin e qytetit dhe të qytetarëve.
Azizi ka shtuar se Gostivari sot ka nevojë për siguri politike, stabilitet dhe për një udhëheqje të provuar, duke përjashtuar eksperimentet dhe improvizimet./Zyrtare/
















