Connect with us

Religjion

Allahu ua beson betejat më të vështira robërve të tij të zgjedhur

Publikuar

Mik i dashur, të shoh përsëri të rraskapitur dhe të lodhur, aq shumë sa që nga lodhja nuk mund të flesh. Mijëra mendime të kalojnë nëpër kokë, madje të duket sikur bota në kokën tënde është më e madhe se bota në të cilën ndodhet koka jote.

Je i vetëm, përkundër gjithë kësaj tollovie përreth teje. Të gjithë rreth teje shohin vetëm forcën tënde, atë lëvozhgë të trashë në të cilën je mbështjellë, si arrë, shumë i fortë nga jashtë, por i brishtë nga brenda. Askush nuk e sheh brishtësinë dhe plagët  tua.

Të gjithë ata e shohin buzëqeshjen tënde, atë që gjithmonë të shfaqet në fytyrë, por askush prej tyre nuk e di se je duke pritur një rast që të vetmohesh dhe të qash.

Të gjithë ata varen nga ti, ashtu i ke mësuar, që të jesh shpina dhe mbështetja në të cilën ata mbështeten. Por si t’u thuash atyre se edhe më të fortët kanë momente dobësie dhe se edhe atyre u duhet dikush që t’i përkrahë?

Megjithatë, ti nuk guxon ta tregosh dobësinë tënde. Nuk mund një pemë me kurorë të thotë: “Dua pak të shtrihem, jam lodhur nga qëndrimi në këmbë.”

Mos u brengos, mik! Ky është fati yt – që të jesh si qiriu që digjet vetë për t’ua ndriçuar rrugën të tjerëve.

Ji i qëndrueshëm, sepse ndoshta në qëndrueshmërinë tënde fshihet qëndrueshmëria e shumëkujt që kërkon ngushëllim te ti, e nëse ti lëkundesh dhe tërhiqesh, edhe ata do të ndjekin shembullin tënd.

E di që je i lodhur, mik! Por nuk mund t’ia lejosh vetes një luks të tillë që të pushosh.

Ushtarët nuk shtrihen e nuk pushojnë gjatë betejës, edhe nëse janë krejtësisht të rraskapitur.
E tani ndalu një çast dhe ma jep pak zemrën tënde, mik!

A nuk më ke thënë: “Njerëzit në këtë jetë ecin vetëm nëpër shtigjet e fatit të tyre.”

Mos e vrit shumë mendjen dhe mos e mbush zemrën me gjëra që nuk i ke nën kontroll. Caktimi i Allahut do të realizohet pashmangshëm, sado që të duken rrugët të vështira dhe dyert të mbyllura.

Detyra jote është vetëm të përpiqesh dhe ta vazhdosh ecjen tënde drejt qëllimit të lartë, e kur do të arrish dhe si, këtë e di vetëm Allahu.

Mos e harro një gjë, mik! Disa përgjegjësi janë të zgjedhura, dhe Allahu me to i ngarkon vetëm ata që janë të pastër në rrugën e tyre.

Përderisa Allahu “të përdor” për gjëra të larta dhe të ngarkon me përgjegjësi të zgjedhura, dije se Ai e sheh zemrën tënde dhe është i kënaqur me të. E çfarë është ajo që, pas kësaj, mund të të shqetësojë?!

Beteja është e rëndë, mik! E di shumë mirë këtë. Por, a nuk të ka shkuar në mendje se Allahu ua beson betejat më të vështira robërve të Tij më të mirë dhe ushtarëve më të fortë?!  https://saff.ba//

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

NA NDIQ NË FACEBOOK