Religjion
Allahu nuk do t’i lartësojë ata që e tradhtojnë fenë e tij, sado të pasur qofshin

Abdullah bin Mubarak ka thënë: ”Është pyetur Hamdun bin Ahmed el-Kassar (vdiq në vitin 884/271 h.): ‘Përse fjalët e të parëve tanë të mirë (selefi) linin më shumë gjurmë tek njerëzit dhe ishin më të dobishme sesa fjalët tona?’
Ai është përgjigjur: ‘Sepse ata flisnin për lavdinë e Islamit, për shpëtimin e shpirtrave dhe me synimin për ta fituar kënaqësinë e të Gjithëmëshirshmit, ndërsa ne flasim për lavdinë e shpirtrave tanë, me synimin për këtë botë dhe për ta fituar kënaqësinë e njerëzve.’”
Allahu nuk do t’i përulë ata që e ndihmojnë fenë e Tij, sado të varfër qofshin
Shejhu Abdul-Aziz el-Tarifi ka thënë: ”Të parët tanë të mirë (selefi) ishin të varfër, por ishin udhëheqës për popujt e tjerë, ndërsa popujt muslimanë të sotëm (sidomos arabët) janë të pasur, por ndodhen në fund të karvanit të njerëzimit. Kjo ndodh sepse Allahu nuk do t’i lartësojë ata që e tradhtojnë fenë e Tij, sado të pasur qofshin, dhe nuk do t’i përulë ata që e ndihmojnë fenë e Tij, sado të varfër qofshin.”
O Allah, Ti e di që përulësia më është më e dashur sesa fama dhe popullariteti
Një njeri me emrin Hamza bin Dehkan erdhi te Bishr el-Hafiu, asket dhe besimtar i njohur, dhe i tha: ”Do të doja të isha me ty një ditë.” Bishri i tha: ”Nuk ka problem, vetëm cakto ditën për shoqërimin tonë.”
Hamza bin Dehkan ka treguar: ”Një ditë hyra në shtëpinë e tij pa e vënë re ai, dhe e gjeta duke falur namaz. Ai fali katër rekate namaz vullnetar me një përkushtim që nuk e kisha parë kurrë, dhe e dëgjova duke bërë këtë lutje në sexhde: ‘O Allah, Ti e di që përulësia më është më e dashur se fama dhe popullariteti, që varfëria më është më e dashur se pasuria, dhe se asgjë nuk e parapëlqej mbi dashurinë Tënde.’
Kur e dëgjova lutjen e tij, nuk munda të përmbahesha dhe fillova të qaja, aq sa ai e dëgjoi vajin tim, kështu që në atë moment tha: ‘O Allah, Ti e di, se sikur ta dija që ky njeri ishte këtu, nuk do ta kisha thënë këtë që thashë.’” (Shemsuddin edh-Dhehebi, Sijer el-e’alam en-nubela’)
Autor: Abdusamed Nasuf Bushatliq
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini























